• e premte, 05 dhjetor 2025

Forcat izraelite vranë 25 persona të cilët prisnin ndihma humanitare në Gazë, janë plagosur 146

Forcat izraelite vranë 25 persona të cilët prisnin ndihma humanitare në Gazë, janë plagosur 146

Gazë, 24 qershor 2025 (MIA) - Forcat e armatosura izraelite dhe dronët herët në mëngjes hapën zjarr ndaj qindra palestinezëve të cilët prisnin kamionë me ndihma në Gazë, me çka u vranë të paktën 25 persona, ndërsa u plagosën 146, kumtuan dëshmitarë dhe spitalet.

Spitali Avda në kampin e refugjatëve Nuseirat kumtoi se palestinezët po prisnin kamionë në rrugën Salah al-Din në jug të Rripit të Gazës. Dëshmitarët thanë se forcat izraelite hapën zjarr ndërsa njerëzit ecnin për t'iu afruar kamionëve që po afroheshin.

"Ajo ishte masakër", tha dëshmitari okular Ahmed Halava. Ai tha se tanket dhe dronët qëllonin ndaj njerëzve, "edhe kur ne po iknim. Shumë njerëz u vranë ose u plagosën".

Ushtria izraelite nuk komentoi për incidentin e fundit. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR