• e martë, 17 dhjetor 2024

Forcat izraelite futen thellë në territorin e Libanit që nga fillimi i operacionit tokësor

Forcat izraelite futen thellë në territorin e Libanit që nga fillimi i operacionit tokësor

Bejrut, 16 nëntor 2024 (MIA) - Forcat tokësore izraelite kanë hyrë në pjesën më të thellë të territorit libanez që nga fillimi i operacionit tokësor gjashtë javë më parë, para se të tërhiqen sot pas përplasjeve me pjesëtarët e grupit militant Hezbollah, raportojnë mediat shtetërore libaneze.

Ushtarët izraelitë kanë marrë një kodër strategjike në fshatin jugor Çama të Libanit, rreth pesë kilometra nga kufiri izraelit, raportuan mediat libaneze. Ushtarët më vonë u tërhoqën.

Ushtarët izraelitë hodhën në erë tempullin e profetit Shimon në Çama, si dhe disa shtëpi para se të tërhiqeshin, por ky informacion nuk mund të konfirmohet.

Izraeli paraprakisht paralajmëroi banorët që të evakuohen. Për momentin nuk ka raportime për viktima eventuale.

Më shumë se 3.400 persona kanë vdekur nga sulmet izraelite në Liban, 80 për qind e tyre në tetë javët e fundit, informon ministria e Shëndetësisë e Libanit.

Më 1 tetor, Izraeli filloi siç kumtuan Forcat izraelite të mbrojtjes "një operacion tokësor të kufizuar" në Libanin jugor kundër Hezbollahut.

Qëllimi i Izraelit është të zmbraps Hezbollahun nga zonat kufitare në mënyrë që të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre dhjetëra mijëra izraelitë të evakuuar nga shtëpitë e tyre në Izraelin verior.

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR