• e hënë, 23 dhjetor 2024

Forcat e përbashkëta operative Shqipëri-Britani-Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar

Forcat e përbashkëta operative Shqipëri-Britani-Kosovë në luftën kundër krimit të organizuar

Tiranë, 18 korrik 2024 (MIA) - Në Tiranë është mbajtur takimi trepalësh i Komitetit mbikëqyrës të grupit të përbashkët operativ ndërmjet Shqipërisë, Britanisë së Madhe dhe Kosovës, kundër migrimit të parregullt dhe bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, njoftuan mediat shqiptare.

Në takim morën pjesë ministri shqiptar i Punëve të Brendshme, Taulant Balla, homologu i tij kosovar, Xhelal Sveçla, si dhe përfaqësues të organeve të rendit nga Kosova, Britania e Madhe dhe Shqipëria.

"Shqipëria dhe Britania e Madhe kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe punojnë së bashku çdo ditë për të arritur qëllimet e përbashkëta që synojnë përmirësimin dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve tanë. Këtë më së miri e dëshmon ulja e ndjeshme, përtej çdo parashikimi, e numrit të emigrantëve të paligjshëm që vijnë në Britani nga Shqipëria, por edhe në punën tonë të përbashkët për të luftuar krimin e organizuar në të gjitha format e tij", tha Balla.

Sipas tij, këmbimi i informacioneve, në kohë reale, ndërmjet strukturave të policisë dhe bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK është për parandalimin dhe shuarjen e aktiviteteve kriminale në Shqipëri. 

"Mundësuam dhe arritëm kthimin e mbi katër mijë qytetarëve tanë, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar. Në bashkëpunim me organet e përndjekjes, për vitin 2023, në lidhje me Britaninë e Madhe, kemi kryer 50 operacione riatdhesimi dhe janë dëbuar gjithsej 2250 shtetas shqiptarë për arsye të ndryshme, qoftë për qëndrim të paligjshëm, qoftë për krime që lidhen me kultivimin e paligjshëm të lëndëve narkotike, duke refuzuar azil, duke falsifikuar dokumente, për vjedhje, ndërsa në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 kemi pasur 25 operacione riatdhesimi me 1120 shtetas të kthyer", tha ministri Balla.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e funksionimit të task-forcës së përbashkët për migracionin, e cila operacionalizoi bashkëpunimin në fushën e migracionit dhe forcoi stabilitetin kufitar, duke adresuar rrugët e përdorura nga grupet e organizuara kriminale. ls/

Foto: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR