Fon der Lajen: Të rinjtë nga Evropa duan të jetojnë në një Bashkim Evropian
- Zgjerimi është një udhëtim i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse të gjithë ndajmë të njëjtin kontinent, histori, kulturë dhe sfida, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një video fjalim në “Forumin e zgjerimit të BE-së 2025: Kompletimi i Unionit, sigurimi i të ardhmes sonë” që u mbajt sot në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 11:07, 18 nëntor, 2025
Bruksel, 18 nëntor 2025 (MIA) – Zgjerimi është një udhëtim i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse të gjithë ndajmë të njëjtin kontinent, histori, kulturë dhe sfida, tha kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një video fjalim në “Forumin e zgjerimit të BE-së 2025: Kompletimi i Unionit, sigurimi i të ardhmes sonë” që u mbajt sot në Bruksel.
"E shohim pasionin e të rinjve në vendet kandidate për anëtarësim, si dhe në shtetet anëtare për të jetuar në një Union Evropian. Ata duan të shfrytëzojnë mundësitë dhe të gëzojnë liritë që ofron anëtarësimi. Ata duan të jetojnë në një Evropë më të fortë, të begatë dhe të bashkuar. Sepse Evropa është më shumë se një Union. Është shtëpia jonë", theksoi Fon der Lajen.
Sipas saj, që nga fillimi, Bashkimi Evropian ka qenë një projekt paqeje dhe një fije që lidh shtetet anëtare dhe udhëzon çdo hap të integrimit të tyre.
“Por në kohë pasigurie gjeopolitike, zgjerimi është më shumë se sa një zgjedhje paqësore. Është një investim në sigurinë dhe lirinë tonë kolektive. Sepse historia na ka mësuar se kur Evropa është e bashkuar, ne jemi më të fortë”, tha Fon der Lajen.
Ajo theksoi se rruga drejt anëtarësimit në BE është sfiduese dhe kërkon shumë reforma dhe përafrim me legjislacionin e BE-së, por përfitimet janë të shumta.
"Vendet që iu bashkuan Bashkimit Evropian në valën e fundit kanë përjetuar një rritje të jashtëzakonshme ekonomike. Standardet e jetesës janë dyfishuar, papunësia pothuajse është përgjysmuar. Jetëgjatësia është rritur mesatarisht me katër vjet dhe janë krijuar gjashtë milionë vende të reja pune", tha kryetarja e KE-së.
Foto: arkivi i MIA-s