• e enjte, 04 dhjetor 2025

Fon der Lajen: Një marrëveshje e keqe paqësore për Ukrainën do të sjellë paqëndrueshmëri dhe pasiguri më të madhe

Fon der Lajen: Një marrëveshje e keqe paqësore për Ukrainën do të sjellë paqëndrueshmëri dhe pasiguri më të madhe

Strasburg, 7 maj 2025 (MIA) - Të dielën kur shënohet 80 vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ne e gjejmë veten përsëri në një moment përcaktues në historinë e Evropës, kur nga mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë do të varet se si do të jetë i formuar kontinenti ynë për brezat që do të vijnë”, porositi kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen sot në fjalimin e saj në debatin e Parlamentit Evropian mbi mbështetjen e BE-së për arritjen e një paqeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Ukrainë.

Sipas Fon der Lajenit, nga ajo paqe do të varet e ardhmja e ukrainasve, por edhe e Evropës, pasi arritja e një marrëveshje të keqe paqësore mund ta inkurajojë presidentin rus Vlladimir Putin që më vonë të kthehet dhe të përpiqet të pushtojë më shumë territore.

"Kjo do të ishte një recetë për paqëndrueshmëri dhe pasiguri më të madhe. Në vend të kësaj, një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të sjellë një epokë të re prosperiteti për Ukrainën dhe të na ndihmojë të ndërtojmë një arkitekturë të re sigurie për Evropën. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme që do të sigurojë sovranitetin e Ukrainës, do të respektojë integritetin e saj territorial dhe do të mbështesë aspiratat e saj evropiane. Ky është udhëkryqi me të cilin përballemi, ndërsa Evropa ka një interes të madh. Prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të forcuar pozicionin e Ukrainës", theksoi Fon der Lajen. 

Sipas saj, Putini dëshiron ta detyrojë Kievin të “pranojë të papranueshmen”, kështu që BE-ja përballet me detyrën për të ndihmuar Ukrainën të qëndrojë e vendosur, t’i rezistojë kërcënimeve dhe të angazhohet në bisedime paqësore sipas kushteve të veta.

Fon der Lajen theksoi se për të arritur këtë qëllim, BE-ja duhet të mbështesë mbrojtjen e Ukrainës, të heqë dorë nga lëndët djegëse fosile ruse dhe të përshpejtojë rrugën e Kievit drejt anëtarësimit në Union. 

Ajo thekson se paralelisht me mbështetjen e Ukrainës, BE-ja duhet të vazhdojë të minojë aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftë, për të cilën duhet të ulë të ardhurat ruse nga lëndët djegëse fosile, të cilat Moska i përdor për të financuar makinerinë e saj ushtarake.

Lajen theksoi se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, BE-ja ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në uljen e importeve të energjisë nga Rusia dhe se duhet të vazhdojë me atë ritëm, pasi "rihapja e rubineteve për gazin dhe naftën ruse" do të ishte një gabim me përmasa historike.

Fon der Lajen shtoi se BE-ja njëherësh duhet të përshpejtojë edhe rrugën e Ukrainës drejt anëtarësimit në bllok që mund të jetë garancia më e fortë e sigurisë. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR