Fon der Lajen nesër do ta publikojë planin për "riarmatosje të Evropës" (PLT)
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen njoftoi se nesër do ta publikojë planin për riarmatim të Evropës.
- Post By Melahat Baftija
- 14:49, 3 mars, 2025

Bruksel, 3 mars 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen njoftoi se nesër do ta publikojë planin për riarmatim të Evropës.
"Nesër do të informoj me letër vendet anëtare (të BE-së) për një plan për riarmatimin e Evropës. Ne kemi nevojë për një nxitje masive të mbrojtjes", theksoi Fon der Lajen në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me planet e ardhshme të mbrojtjes së BE-së, gjatë prezantimit të sotëm të Dialogut Strategjik për Industrinë Evropiane të Automobilave.
Fon der Lajen theksoi se ne të gjithë duam padyshim paqe të qëndrueshme në Evropë, por se një paqe e tillë mund të arrihet vetëm përmes fuqizimit.
"Duhet të fillojmë duke forcuar veten së pari. Ky është edhe qëllimi i planit që unë do t'ua paraqes vendeve anëtare nesër”, shtoi Fon der Lajen.
Ajo bëri të ditur se promovimi i planit vjen në vigjilje të Samitit të posaçëm të BE-së kushtuar Ukrainës dhe mbrojtjes dhe sigurisë së Evropës, të caktuar për të enjten, për përgatitjen e të cilit, siç tha ajo, po punohet intensivisht me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta.
Paraprakisht, në konferencën e rregullt për shtyp në Komisionin Evropian, zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinjo, tha se letrën që do t'ua dërgojë Fon der Lajen vendeve-anëtare dhe Këshillit Evropian do të përmbajë elementet kryesore që do të jenë temë e diskutimit në Samitin e ardhshëm të Mbrojtjes.
Në pyetjen se pse madje tani po shpallet plani për forcimin e mbrojtjes, kur për këtë është diskutuar që nga qershori i vitit të kaluar, Pinjo theksoi se muajt e fundit janë paraqitur disa propozime në lidhje me çështjet e mbrojtjes, por që tani, pas formimit të Komisionit të ri Evropian, po propozohen masa konkrete dhe më specifike që në fillim të mandatit të tij.
"Ai (propozimi) do të vendoset në tryezë tani, si përgjigje e kërkesave të Këshillit Evropian nga viti i kaluar, por edhe duke marrë parasysh zhvillimet aktuale", tha Pinjo.
Ajo shtoi se shumica e çështjeve në fushën e mbrojtjes janë përgjegjësi e vendeve-anëtare, jo e Komisionit Evropian, por se për disa tema, si rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe përmirësimi i efikasitetit të shpenzimeve të mbrojtjes në nivel evropian, ka vend për propozime edhe nga BE-ja.
Lidhur me publikimin e paralajmëruar të "Librit të bardhë për mbrojtjen" nga ana e KE-së, i planifikuar për nga mesi i marsit, Pinjo theksoi se tani për tani dokumenti mbetet të publikohet siç është planifikuar, duke shtuar se diskutimet në ditët në vijim dhe në Samitin e ardhshëm të BE-së mund të ndikojnë në ndryshime në disa pjesë të përmbajtjes së tij. mb/
Foto: EBS