• e diel, 22 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Ne do të vendosim kush vjen në BE, jo kontrabandistët e njerëzve

Fon der Lajen: Ne do të vendosim kush vjen në BE, jo kontrabandistët e njerëzve

 Bruksel, 17 shtator 2023 (MIA) - Duke marrë parasysh situatën e migrantët në Lampeduza dhe duke e njohur rritjen e presionit përgjatë rrugëve të ndryshme të migrimit, BE-ja ka hartuar një plan të aktiviteteve urgjente për përballje me gjendjen, që duhet të zbatohen me respektimin e plotë të të drejtave themelore dhe detyrimeve ndërkombëtare, porositi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajeni pas vizitës së ishullit italian Lampeduza, ku ditëve të fundit është regjistruar rritje e fluksit të migrantëve.

 "Migrimi i parregullt është një sfidë evropiane dhe nevojitet një përgjigje evropiane. Ne jemi së bashku në këtë. Në këto ditë, komuniteti lokal i Lampeduzas vazhdoi të jepte gjithçka nga vetja që t'i mbështesë burrat, gratë dhe fëmijët që mbërritën në këtë ishull. Ky solidaritet i jashtëzakonshëm e ngroh zemrën dhe është shumë i rëndësishëm që të mbahet mend: Të gjithë që janë të përfshirë – qofshin banorët e Lampeduzas, autoritetet lokale apo migrantët – janë bllokuar në këtë situatë", porositi Fon der Lajeni në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministren italiane Xhorxha Meloni.

Fon der Lajeni theksoi se një numër gjithnjë e më i madh i migrantëve i braktisin vendet e tyre, të shtyrë nga kontrabandistët dhe trafikantët e pamëshirshëm dhe shumë prej tyre po mbërrijnë në ishullin Lampeduza, duke krijuar një situatë shumë të vështirë për banorët e tij. 

 

"Kryeministrja Meloni dhe unë jemi sot këtu për të ofruar një përgjigje të koordinuar nga autoritetet italiane dhe evropiane. Dua të jem shumë i qartë: kemi një detyrim si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë e kemi bërë në të kaluarën, do ta bëjmë edhe sot dhe në të ardhmen. Por, ne do të vendosim se kush dhe në çfarë rrethanash do të vijë në Bashkimin Evropian, jo kontrabandistët", porositi Fon der Lajeni.

Kryetarja e KE-së prezantoi një plan prej dhjetë pikash, i cili parashikon mbështetje për Italinë nga Komisioni Evropian, Agjencia për Azil e BE-së dhe Fronteksi për përballje me fluksin e migrantëve dhe regjistrimin e tyre, si dhe rritjen e transferimit të migrantëve nga Lampeduza në vende të tjera anëtare të Unionitnë kuadër të Mekanizmit të Solidaritetit Vullnetar.

 Plani më tej parashikon mbështetje nga Fronteksi për kthim të shpejtë të migrantëve në vendet e tyre të origjinës, nëse nuk i plotësojnë kushtet për marrjen e azilit në BE, si dhe forcimin e luftës kundër kontrabandistëve të njerëzve.

  

Sipas saj, me planin  parashikohet edhe  forcimi i mbikëqyrjes detare dhe ajrore në Detin Mesdhe, duke ndërmarrë masa kundër logjistikës së kontrabandistëve të njerëzve, si dhe përshpejtimin e procedurës për vlerësimin e kërkesave për dhënien e azilit.

 Masa tjetër e planit, sipas kryetares  së KE-së, parashikon forcimin e bashkëpunimit të BE-së me Zyrën e Komisarit të Lartë të KB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) që të sigurohet mbrojtja e migrantëve. përgjatë rrugës dhe të inkurajohet kthimi i tyre vullnetar përmes ofrimit të ndihmës, si dhe bashkëpunim të zgjeruar me Tunizinë për zbatimin e Memorandumit për Mirëkuptim që vendi ka lidhur me BE-në, i cili do të përfshijë realizimin e projekteve të reja dhe pagesën e mjeteve të këtij vendi afrikan.

 Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR