• e premte, 05 dhjetor 2025

Fon der Lajen: Nëse nuk i mbrojmë oqeanet e rrezikojmë të ardhmen tonë

Fon der Lajen: Nëse nuk i mbrojmë oqeanet e rrezikojmë të ardhmen tonë

Bruksel, 9 qershor 2025 (MIA) – Oqeani frymëzoi piktorë si Matis, Shagal dhe shumë të tjerë, por të gjithë e dimë se ai është shumë më shumë se frymëzim – ai është jetë, ai na ushqen, na freskon dhe na lidh me botën, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin hyrës në takimin e parë plenar në Konferencën e KB-së për oqeanet, që po mbahet në qytetin francez Nicë. 

“Bashkë ndërmorëm hapa shumë të rëndësishëm që t’i mbrojmë oqeanet tona. Sot, mundemi t’i festojmë rezultatet e para, por në të njëjtën kohë duhet t’i fuqizojmë përpjekjet tona, sepse oqeanet ende janë në krizë. Pa aksion, e rrezikojmë të ardhmen tonë”, tha Fon der Lajen. 

Ajo theksoi se Marrëveshja për detin e hapur, e lidhur para tre viteve, është instrument për mbrojtje të oqeaneve, për realizimin e të cilit BE-ja do të kontribuojë me 40 milionë euro në kuadër të programit “Oqean global”. 

Megjithatë, sipas saj, është kyçe që sa më shpejtë Marrëveshja të ratifikohet prej të paktën 60 nga nënshkrueset e saj, me qëllim që të hyjë në fuqi. 

“Për këtë, Ju lutem të gjithë juve sot: Përshpejtojeni ratifikimin, sepse oqeaneve tona u duhet edhe ne ta luajmë rolin tonë”, tha Fon der Lajen. 

Kryetarja e KE-së shtoi se mjeti Binjaku Digjital i Oqeanit Evropian (EDTO), versioni i parë i të cilit do të promovohet sot pasdite në Nicë, do të ndihmojë për mirëkuptim më të mirë të oqeaneve – nga ndotja deri në navigim dhe nga rreziqe për rajonet bregdetare deri në biodiversitet. 

“Nuk do të ndalemi këtu. Kemi dëgjuar thirrjen nga Franca dhe të tjerët për të investuar shumë në kërkimin mbi oqeanet. Pra, me Binjakun Digjital, po fillojmë një nismë të re për monitorimin e oqeaneve. Ai do t'u ofrojë të dhëna vitale të gjithë atyre që mbështeten te oqeanet dhe do ta ndihmojë Evropën të bëhet lider global në shkencë, teknologji dhe sigurinë e oqeaneve. U bëj thirrje të gjitha vendeve këtu t'i bashkohen Evropës në këtë mision”, theksoi Fon der Lajen.

Ajo përkujtoi se sot pasdite BE-ja do ta prezantojë Paktin e saj Evropian për Oqeanet, i cili përfaqëson  strategji koherente për politikat e Unionit për të mbrojtur më mirë oqeanet, për të promovuar një ekonomi blu të lulëzuar dhe për të mbështetur mirëqenien e njerëzve që jetojnë në zonat bregdetare..

“Nëse të gjithë luajmë rolin tonë, mund t'i shpëtojmë oqeanet tona. Siç tha dikur Zhak Kusto: ‘Deti, bashkuesi i madh, është shpresa e vetme e njeriut. Tani, më shumë se kurrë, jemi të gjithë në të njëjtën barkë. Vetëm duke punuar së bashku mund të sigurojmë një të ardhme të mirë për oqeanet. Është në duart tona”, përfundoi Fon der Lajen në fjalimin e saj në Konferencë, në të cilën mori pjesë edhe presidentja e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova. fc/

Foto: EBS

 

QËNDRONI TË LIDHUR