• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fon der Lajen në turne katërditore në Ballkanin Perëndimor, nesër qëndron në Shkup

Fon der Lajen në turne katërditore në Ballkanin Perëndimor, nesër qëndron në Shkup

Bruksel, 23 tetor 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, sot e fillon vizitën katërditore në vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë së cilës nesër do të qëndrojë në Shkup.

Siç njoftoi Komisioni Evropian, gjatë turneut Fon der Lajen do të takohet me liderët e gjashtë vendeve të rajonit, me të cilët do të diskutojë për rrugën e tyre drejt BE-së, si dhe zbatimin e Planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Kryetarja e KE-së do ta nisë vizitën në rajon nga Tirana, ku sot do të ketë një takim me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do t'i drejtohet ceremonisë me rastin e fillimit të vitit akademik të Kolegjit të Evropës në Tiranë. Fon der Lajen nesër në mëngjes do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.

Nga Tirana, Fon der Lajen do të udhëtojë drejt Shkupit për takime me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova dhe me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Nesër pasdite kryetarja e Komisionit Evropian do të niset nga Shkupi për në qytetin boshnjak të Jabllanicës, ku do t'i vizitojë zonat që së fundmi janë prekur nga vërshimet. Të premten në mëngjes, Fon der Lajen do të takohet në Sarajevë me anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe me kryetaren e Këshillit të ministrave, Borjana Krishto.

Nga Sarajeva, të premten Fon der Lajen do të niset për në Beograd për takime me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin Millosh Vuçeviq.

Të shtunën do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin Albin Kurti, e më pas do të shkojë në Podgoricë për takime me kreun e shtetit malazez Jakov Millatoviq dhe me kryeministrin Milojko Spajiq.

Vizita e kësaj jave e Fon der Lajen vjen pas asaj të një viti më parë kur në rajon e promovoi Planin e Komisionit Evropian për rritjen e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, ajo pati disa takime me liderët e vendeve të rajonit, e fundit prej të cilave u zhvillua javën e kaluar në Samitin e Procesit të Berlinit në Berlin dhe në Forumin strategjik të Bledit në fillim të shtatorit.

Në këto takime, Fon der Lajen e theksoi rëndësinë e rajonit për Bashkimin Evropian dhe përkushtimin e bllokut për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në zbatimin e reformave dhe hartimin e rrugës së anëtarësimit në Union. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR