Fon der Lajen në Davos është prononcuar për marrëdhënien pragmatike me Trampin dhe dorën e zgjatur ndaj Kinës
- Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen sot siguroi se BE do të jetë "pragmatike" në marrëdhëniet me SHBA-në pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë.
Davos, 21 janar 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula Fon der Lajen sot siguroi se BE do të jetë "pragmatike" në marrëdhëniet me SHBA-në pas kthimit të Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë.
"Prioriteti ynë i parë do të jetë fillimi i një dialogu pa shtyrje për të diskutuar për interesat e përbashkëta dhe për të qenë të përgatitur për negociata. Ne do të jemi pragmatikë, por do t'i qëndrojmë gjithmonë parimeve tona. T'i mbrojmë interesat tona dhe t'i mbështesim vlerat tona - kjo është rruga evropiane", tha ajo gjatë Forumit ekonomik botëror në Davos.
Evropa po hyn në një epokë të re të konkurrencës së ashpër gjeostrategjike dhe do të duhet të punojë së bashku për të shmangur një garë globale deri në fund, theksoi Fon Der Lajen.
“Përderisa kjo konkurrencë intensifikohet, me shumë gjasa do të fillojmë të shohim përdorimin e shpeshtë të instrumenteve si sanksionet, kontrollet e eksportit dhe doganat, të cilat synojnë të mbrojnë ekonominë dhe sigurinë kombëtare”, tha ajo.
Megjithatë, Fon der Lajen është kategorike se inovacionet nuk duhet të ndalen.
“Duke pasur parasysh se ndërprerja e lidhjeve në ekonominë globale nuk është në interesin e askujt, ne duhet të modernizojmë rregullat sa më shpejt të jetë e mundur për të ruajtur aftësinë tonë për të krijuar përfitime reciproke për qytetarët tanë”, theksoi ajo.
Sipas saj, Marrëveshje e Parisit për klimën vazhdon të ofrojë shpresën më të mirë për mbarë njerëzimin.
"Evropa duhet të qëndrojë në kurs dhe të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet që duan ta mbrojnë natyrën dhe të ndalojnë ngrohjen globale", tha ajo lidhur me synimin e Trampit për të tërhequr SHBA-në nga marrëveshja.
BE-ja, gjithashtu, duhet t'i tejkalojë barrierat e mbetura për unionin e saj energjetik dhe të investojë në një gjeneratë të re të teknologjive për energji të pastër, shton Fon der Lajen. Ajo tha se blloku duhet të vazhdojë t'i diversifikojë burimet e tij të energjisë dhe të zgjerojë prodhimin e energjisë së rinovueshme ekologjike, duke shtuar se e gjithë kjo do të jetë pjesë e një plani të ri që do të paraqitet në shkurt.
BE-ja është e gatshme t'ia “zgjat dorën Kinës dhe të thellojë” marrëdhëniet me Pekinin, shtoi Fon der Lajen. Ajo saktësoi se dëshiron të zgjerojë lidhjet në fushën e tregtisë dhe infrastrukturës.
Ajo, gjithashtu, paralajmëroi se së shpejti do të udhëtojë në Kinë për të "përforcuar partneritetin strategjik" me "demokracinë më të madhe në botë".
Lidhur me Ukrainën, Fon der Lajen tha se vendi duhet të vendosë vetë për territorin e tij, duke shtuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë pa kushte Kievin.
“Është e rëndësishme që Ukraina të mbetet një shtet i pavarur dhe që Ukraina të vendosë vetë për territorin e saj”, theksoi ajo. ls/
Foto: EPA