Fon der Lajen, Makron dhe Merc: Sanksione më të ashpra nëse Rusia refuzon armëpushim
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen sot e mbështeti propozimin për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë dhe tha se BE është gati të vendosë sanksione shtesë kundër Rusisë nëse armëpushimi shkelet.
- Post By Lindita Sulejmani
- 13:46, 10 maj, 2025
Kiev, 10 maj 2025 (MIA) -Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula Fon der Lajen sot e mbështeti propozimin për një armëpushim 30-ditor pa kushte në Ukrainë dhe tha se BE është gati të vendosë sanksione shtesë kundër Rusisë nëse armëpushimi shkelet.
“Topi tani është në fushën e Rusisë”, shkroi Fon der Lajen në rrjetin social "Iks".
"Ne jemi të përgatitur të vazhdojmë presionin e fortë ndaj Rusisë dhe të vendosim sanksione shtesë nëse shkelet armëpushimi", deklaroi ajo.
Presidenti francez Emanuel Makron bëri thirrje për negociata të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë në kuadër të një armëpushimi 30-ditor.
"Nëse arrihet një armëpushim 30-ditor, do të fillojmë bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë.Jemi të gatshëm të ndihmojmë”, deklaroi Makron për mediat franceze, duke paralajmëruar se nëse Moska nuk e pranon armëpushimin, do të ketë sanksione shtesë “shumë më të rrepta”.
Kancelari gjerman Fridrih Merc, gjithashtu, e paralajmëroi Rusinë për pasoja serioze nëse ajo refuzon armëpushimin 30-ditor dhe bisedimet pasuese paqësore për t'i dhënë fund luftës.
"Do të ketë një ashpërsi masive të sanksionve dhe mbështetje shtesë për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën politike, financiare dhe ushtarake", deklaroi Merc për gazetën "Bild".
Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbështesin këtë masë, duke shtuar se durimi i presidentit amerikan Donald Tramp kundrejt presidentit Vladimir Putin po ulet në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës disavjeçare.
"Topi është tani te Putini, dhe ai duhet të përgjigjet në këtë propozim", theksoi Merc. ls/
Foto: Printskrin