• e diel, 22 dhjetor 2024

Fon der Lajen: Kosova duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm që t'i hiqen sanksionet nga BE-ja

Fon der Lajen: Kosova duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm që t'i hiqen sanksionet nga BE-ja

Prishtinë, 26 tetor 2024 (MIA) – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, e cila në kuadër të turit të saj në Ballkan sot po qëndron në Prishtinë, deklaroi se autoritetet e Kosovës duhet të punojnë në hapat e mëtejshëm që të arrihet në pikën kur vendet – anëtare të Bashkimit Evropian do të arrijnë marrëveshje që t'i heqin masat ndaj shtetit, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. 

Në konferencë për media pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Fon der Lajen tha se bashkë me liderët kosovarë janë të përkushtuar në realizimin e atyre qëllimeve. 

Ajo e vlerësoi si hap pozitiv hapjen e vendkalimit kufitar me Serbinë, Merdarë për kalimin e mallrave serbe.

"Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi mirëpritur hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA. Pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat dhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare – pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Fon der Lajen dhe Osmani) jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. E rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së", ka thënë ajo.

Kosova është nën masat e BE-së që nga qershori i vitit të kaluar pas trazirave në komunat që udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë në veri të Kosovës, të banuar me popullsi shumicë serbe. Për incidentet e atëhershme ndërkombëtarët fajësuan Qeverinë e Albin Kurtit se nuk ndërmori hapa për ta qetësuar situatën.

Fon der Lajeni para gazetarëve në Prishtinë ka theksuar se zgjerimi do të jetë në krye të agjendës në mandatin e dytë si presidente e KE-së dhe se është e përkushtuar që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për anëtarësim në BE.

"E di që viteve të fundit Kosova ka punuar shumë për ta përforcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe dua t’iu siguroj juve dhe Kosovës se në mandatin e tim të dytë zgjerimi do të jetë në krye të agjendës. Për mua është njëri prej projekteve më të mëdha. Për këtë arsye do të punojmë bashkë që të vazhdojmë tutje sepse jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kenë të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme që ta bëjmë këtë realitet", ka deklaruar Fon der Lajen. 

Nga Kosova, kryetarja e Komisionit Evropian sot do të udhëtojë për Podgoricë, ku do ta përfundojë turneun e saj katër ditor në rajon, i cili filloi të mërkurën, më 23 tetor, me vizitë në Shqipëri.

Nga Tirana, Fon der Lajen të enjten udhëtoi për në Shkup, ndërsa ditën e njëjtë, pas takimeve me presidenten Gordana Siljanovska Davkova dhe me kryeministrin Hristian Mickoski, udhëtoi për Bosnjë e Hercegovinë, ku i vizitoi  rajonet e goditura nga vërshimet e fundit. 

Nga Sarajeva, Fon der Lajen dje shkoi për Beograd, ku pati takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. fc/

Fotografia: X

QËNDRONI TË LIDHUR