Fon der Lajen: G7 duhet të forcojë presionin mbi Rusinë për të përfunduar luftën në Ukrainë
- Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ka bërë thirrje për rritje të presionit mbi Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, para fillimit të Samitit të Grupit të shtatë (G7) në Kananskis, Alberta, Kanada. Ajo u ka bërë thirrje partnerëve të G7 që t'i forcojnë sanksionet kundër Moskës për ta arritur këtë qëllim.
Kananaskis, 16 qershor 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ka bërë thirrje për rritje të presionit mbi Rusinë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, para fillimit të Samitit të Grupit të shtatë (G7) në Kananskis, Alberta, Kanada. Ajo u ka bërë thirrje partnerëve të G7 që t'i forcojnë sanksionet kundër Moskës për ta arritur këtë qëllim.
Bashkimi Evropian është i gatshëm të miratojë një pako të re sanksionesh, pako e 18-të kundër Rusisë, por deri më tani nuk ka arritur ta bindë presidentin amerikan, Donald Tramp, që të vendosë sanksione të reja, për shkak të shqetësimit të tij se sanksionet mund të pengojnë armëpushimin, njofton agjencia gjermane DPA.
"Duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë për të siguruar një armëpushim të vërtetë, ta çojmë në një tryezë të negociatave dhe t'i japim fund kësaj lufte. Sanksionet janë kyçe për këtë qëllim", deklaroi Fon der Lajen në një konferencë për mediat para fillimit të samitit.
Ajo shtoi se javën e kaluar BE-ja ka propozuar një pako të re sanksionesh dhe ftoi të gjithë partnerët e G7 të bashkohen me këtë iniciativë.
Kryeministri britanik, Kir Starmer, deklaroi se G7 do të diskutojë për sanksione shtesë kundër Moskës nëse presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të refuzojë thirrjet për armëpushim të pakushtezuar në Ukrainë. Ai theksoi se kjo temë "pa dyshim" do të jetë pjesë e diskutimeve në samit, përveç nëse Kremlini angazhohet në negociata paqeje.
Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, pritet të marrë pjesë në samit, pasi pranoi iniciativën e mbështetur nga SHBA-ja për armëpushim dhe propozoi biseda direkte me Putinin.
"Duhet ta detyrojmë Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave për një armëpushim pa kushte", tha Starmer. qa/
Foto: EPA