• e enjte, 04 dhjetor 2025

Fon der Lajen: Evropa zgjodhi shkencën dhe do të investojë 500 milionë euro në hulumtime shkencore

Fon der Lajen: Evropa zgjodhi shkencën dhe do të investojë 500 milionë euro në hulumtime shkencore

Bruksel, 5 maj 2025 (MIA) - Shkenca mbetet karburanti për progres dhe rritje për shoqëritë tona, sepse pa idetë dhe zbulimet që vijnë nga hulumtimi shkencor, progresi herët a vonë do të ngecë, deklaroi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin në konferencën "Zgjidhni Evropën e shkencës" në Universitetin e Sorbonës në Paris.

"Të gjithë mund të biem dakord që shkenca nuk ka pasaportë, nuk ka gjini, nuk ka etni apo parti politike. Si i tillë, ajo luan një rol kyç në lidhjen e njerëzve dhe krijimin e një të ardhme të përbashkët në botën e fragmentuar të sotme. Besojmë se diversiteti është pasuria e njerëzimit dhe thelbi i shkencës. Ajo është një nga asetet më të vlefshme globale dhe duhet të mbrohet", theksoi Fon der Lajen.

Prandaj, sipas saj, më shumë se kurrë, nevojitet mbështetja e shkencës e cila është universale dhe unifikuese dhe kërkon njohuri rreth mënyrës se si funksionojnë gjërat që na bashkojnë si njerëz.

Ajo thekson se për këtë arsye, Evropa "gjithmonë do ta zgjedh shkencën" dhe do të merret që "shkencëtarët e botës të zgjedhin Evropën".

Duke iu referuar progresit shkencor - teknologjik të Evropës në 40 vitet e fundit, ajo thekson se Unioni ka gjithçka që i nevojitet për të vazhduar atë progres në shkencë - investime stabile dhe të qëndrueshme, infrastrukturë dhe një ekonomi sociale të tregut që ofron qasje në shkolla të mira, arsim dhe kujdes shëndetësor për të gjithë, por se duhet të zvogëlojë burokracinë dhe procedurat burokratike për studiuesit duke u ofruar atyre kështu perspektivat më të mira afatgjata.

"Dëshirojmë që shkencëtarët, studiuesit, akademikët dhe punëtorët me kualifikim të lartë të zgjedhin Evropën. Dhe prandaj sot po prezantoj elementët e parë të nismës sonë “Zgjidhni Evropën”,” theksoi Fon der Lajen.

Ajo njoftoi se elementet kryesore të kësaj iniciative janë sigurimi i shkencës së hapur dhe të lirë në Evropë, investimi dhe stimulimi i kërkimit shkencor me 500 milionë euro për periudhën 2025-2027, përshpejtimi i tranzicionit nga shkenca revolucionare në inovacione deri te mundësia e biznesit transformuese, si dhe tërheqja e studiuesve drejtë Evropës. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR