Fon der Lajen: Evropa duhet ta fuqizojë bazën e saj ekonomike dhe industriale
- - Një vit më parë, në udhëzimet e mia politike, fola për nevojën që Evropa të ndërtojë një politikë të vërtetë ekonomike të jashtme, por kthesa sizmike dhe revolucionare në marrëdhëniet ekonomike globale gjatë vitit të fundit e ka bërë këtë nevojë edhe më akute, theksoi sot kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në fjalimin e saj në debatin në Parlamentin Evropian kushtuar rezultateve të Samitit të BE-së në qershor.
- Post By Fitore Curri
- 11:32, 9 korrik, 2025
Strasburg, 9 korrik 2025 (MIA) - Një vit më parë, në udhëzimet e mia politike, fola për nevojën që Evropa të ndërtojë një politikë të vërtetë ekonomike të jashtme, por kthesa sizmike dhe revolucionare në marrëdhëniet ekonomike globale gjatë vitit të fundit e ka bërë këtë nevojë edhe më akute, theksoi sot kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen në fjalimin e saj në debatin në Parlamentin Evropian kushtuar rezultateve të Samitit të BE-së në qershor.
“Por çdo politikë e jashtme ekonomike duhet të fillojë në shtëpi, sepse së pari duhet ta bëjmë bazën tonë ekonomike dhe industriale më të fuqishme dhe më rezistuese ndaj goditjeve”, theksoi Fon der Lajen.
Që të realizohet kjo, sipas saj, BE-ja punon në lehtësimin e rritjes së kompanive inovative, përmirësim të kushteve për investim dhe ulje të shpenzimeve për udhëheqjen e bizneseve.
Fon der Lajen foli edhe për marrëdhëniet tregtare të BE-së me SHBA-në, duke potencuar se Unioni preferon marrëveshje për doganat dhe do të qëndrojë fuqishëm në atë qëndrim në bisedimet me Administratën e presidentit amerikan Donald Tramp.
"Pata një shkëmbim të mirë pikëpamjesh me presidentin Tramp në fillim të kësaj jave për të ndihmuar në ecjen përpara të gjërave. Ne po kërkojmë një kornizë të qartë mbi të cilën mund të vazhdojmë të ndërtojmë. Pra, porosia është e qartë. Ne qëndrojmë pranë parimeve tona. Ne mbrojmë interesat tona. Ne vazhdojmë të punojmë me mirëbesim. Dhe po përgatitemi për të gjithë skenarët", shtoi fon der Lajen.
Ajo theksoi se BE-ja vlerëson se doganat janë të këqija për biznesin dhe për këtë punon në lidhjen e marrëveshjeve tregtare me njerëz me të njëjtat mendime nga e gjithë bota, duke e vendosur veten si partner në të cilin mund të mbështeteni dhe duke hapur mundësi dhe tregje të mëdha të reja.
Fon der Lajen foli edhe për mbrojtjen në fjalimin e saj, duke theksuar se sa herë që diskutohet për të, duhet të mbahet mend se lufta në Ukrainë është ende duke u zhvilluar.
"Nuk mund të mbështetemi te të tjerët për të mbrojtur Evropën. Mbrojtja e Evropës është përgjegjësia jonë. Ne të gjithë e kuptojmë urgjencën", theksoi fon der Lajen, duke kujtuar masat dhe planet e përgatitura nga Komisioni Evropian për të forcuar mbrojtjen dhe sigurinë e Unionit.
Sipas saj, investimet në mbrojtje janë të rëndësishme njëjtë, si për ngjarjet aktuale, ashtu edhe për vendet e ardhshme anëtare të BE-së, sepse bëhet fjalë për sigurinë e përbashkët dhe prosperitetin e përbashkët.
“Kjo, gjithsesi, veçanërisht është rast për Ukrainën... Ukraina dhe BE-ja qëndrojnë bashkë tani dhe do të jemi bashkë edhe në të ardhmen. Kështu e bëjmë këtë me këtë Shtëpi, me këtë Komision dhe me të gjitha vendet tona anëtare dhe për të ardhmen”, shtoi Fon der Lajen. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s