• e premte, 22 nëntor 2024

Fon der Lajen duhet të prezantojë përbërjen e re të Komisionit Evropian

Fon der Lajen duhet të prezantojë përbërjen e re të Komisionit Evropian

Bruksel, 17 shtator 2024 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot në Strasburg në takim me dyer të mbyllura me anëtarët e Konferencës së Kryetarëve të Parlamentit Evropian, me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola dhe njerëzit e parë të grupeve parlamentare, duhet të paraqesin përbërjen e propozuar të Kolegjit të ri të Komisionerëve dhe shpërndarjen e portofoleve që do të menaxhojnë.

Sipas planit fillestar, ky takim ishte dashur të mbahej javën e kaluar, më 11 shtator, por me kërkesë të Fon der Lajenit, u ricaktua për sot, për t'i dhënë kohë Sllovenisë për të përfunduar procedurën për emërimin e kandidates të sapo propozuar sllovene për komisionere evropiane Marta Kos.

Sllovenia fillimisht propozoi ish-kryetarin e Gjykatës së Auditëve të Sllovenisë, Tomazh Vesel për komisioner evropian, por ai e tërhoqi kandidaturën në fillim të këtij muaji. Tërheqja e Vesel-it pasoi raportet se Fon der Lajeni u kishte kërkuar disa shteteve anëtare, përfshirë Slloveninë, të zëvendësonin kandidatët e tyre meshkuj të propozuar me gra, në mënyrë që të arrihet sa më shumë barazi gjinore në organin e ri ekzekutiv të BE-së. Më parë, Rumania zëvendësoi gjithashtu kandidatin e saj për Komisioner Europian me një kandidate femër.   

Pas tërheqjes së Veselit, kryeministri slloven Robert Golob propozoi ish-ambasadoren e Sllovenisë në Gjermani dhe Zvicër, Kos. Sipas procedurave të brendshme, nominimi i Kos-it duhet të miratohet nga Komisioni për Çështje Evropiane të Parlamentit slloven, dhe pa këtë miratim, Lubjana nuk mund të dorëzojë zyrtarisht propozimin zyrtar për Komisioner Europian në Bruksel. Sipas Rregullores së Kuvendit të Sllovenisë, ky miratim nga Komisioni duhet të bëhet brenda dates 24 shtator, ndaj kryetari i tij, i cili vjen nga radhët e opozitës, ka bërë të ditur se nuk do të caktojë seancë para kësaj date.

Në këto kushte, zëvendëskryetarja e Komisionit Evropian, Ariana Podesta, konfirmoi dje se Fon der Lajen mbetet në planin për të paraqitur sot Komisionin e ri Evropian në PE pa nominimin zyrtar të Kos-it. Mirëpo, Podesta ka lënë hapësirë ​​për ndryshime të mundshme të këtij plani, duke theksuar se “24 orë është një kohë e gjatë në politikë” dhe ndryshimet janë të mundshme.

Ndryshe, Fon der Lajen u gjend në një situatë të ngjashme të përfaqësimit të përbërjes së Komisionit Europian pa një kandidat të vetëm në vitin 2019 kur kryeministri i atëhershëm britanik Boris Xhoson, në prag të Bregzit-it, refuzoi të nominojë një kandidat për Komisioner Evropian nga vendi i tij.

Megjithatë, përkundër propozimit zyrtar të Fon der Lajenit për përbërjen e KE-së, Parlamenti Evropian nuk do të fillojë zyrtarisht procedurën për dëgjimin dhe miratimin e Komisionerëve të rinj evropianë derisa të marrë nominimet zyrtare të të gjithë kandidatëve, përfshirë Kos-in.

Pas miratimit individual të secilit prej komisionerëve të propozuar nga komisionet përkatëse të Parlamentit Evropian, eurodeputetët duhet të votojnë në një seancë plenare për të zgjedhur Komisionin Europian. Me zgjatjen e procedurës në Slloveni, PE-ja futet në zonën kohore për të përfunduar të gjithë procedurën e përzgjedhjes brenda mesit të tetorit, siç ishte planifikuar.

Përpara prezantimit të sotëm të Komisionit të ri Europian, ka pasur një ndryshim në përbërjen e tij pas dorëheqjes së djeshme të Komisionerit Europian për Tregun e Brendshëm dhe kandidatit francez për Komisioner evropian, Tieri Breton, i cili akuzoi Fon der Lajenin për “sabotim” të tij dhe "krijim të trazirave" gjatë tranzicionit në institucionet e reja të BE-së, si dhe se zhvillimet e fundit janë "dëshmi të mëtejshme të lidershipit të dyshimtë" nga ana e saj. Ai gjithashtu pretendon se për dorëheqjen e tij Von der Lajeni i ofroi Francës një "portofol më me ndikim" në Komisionin e ri Evropian, nëse Parisi propozon një kandidat tjetër në vend të tij. KE-ja refuzoi të komentojë mbi pretendime të tilla, duke përmendur parimin e konfidencialitetit në komunikimin e brendshëm.

Pasiguria rreth mungesës së një propozimi të komisionerit francez u hoq nga presidenti francez Emanuel Makron brenda disa orësh pas dorëheqjes së Bretonit, i cili emëroi bashkëpunëtorin e tij të ngushtë dhe sekretarin e përgjithshëm të partisë së tij liberale të Rilindjes, ministrin aktual të Jashtëm dhe Evropian, Stefan Sezhurne. Sipas njoftimeve, Sezhurne do të marrë një departament "me ndikim" që do të mbulojë çështjet ekonomike, politikën monetare, shërbimet financiare dhe tregjet e kapitalit.

„Има проблем во суштината и во формата“ во врска со дипломатската криза меѓу Франција, Австралија и САД, смета Стефан Сежурне, европратеник од редовите на Републиката во Марш и политички сове

Kandidatët për Komisionerë Evropianë:

- Austri: Magnus Bruner, Ministër i Financave;

- Belgjikë: Haxha Labib, Shefe e Diplomacisë;

- Bullgaria: Ekaterina Zaharieva, ish-ministre dhe deputete aktuale në Parlamentin bullgar;

- Greqi: Apostolos Cicikostas, guvernator i rajonit grek të Maqedonisë Qendrore dhe ish-kryetar i Komitetit Evropian të Rajoneve;

- Danimarkë: Dan Jorgensen, Ministër i Bashkëpunimit Zhvillimor dhe Politikës Globale Klimatike;

- Irlandë: Majkëll Mekgrat, Ministër i Financave;

- Itali: Rafaele Fito, Ministër i Çështjeve Evropiane dhe Politikës së Kohezionit;

- Qipro: Kostas Kadis, ish-ministër i Bujqësisë, Arsimit dhe Kulturës;

- Letonia: Valdis Dombrovskis, Komisioner Evropian për Tregtinë;

- Lituani: Andrius Kubilius, eurodeputet dhe ish-kryeministër;

- Luksemburg: Kristof Hansen, eurodeputet

- Maltë: Robert Abella, Shef i Kabinetit të Kryeministrit Maltez Glen Mikalef;

- Polonia: Pjotër Serafin, përfaqësues i përhershëm i Polonisë në BE;

- Portugali: Marija Luis Albakeri, ish-ministre e Financave;

- Rumania: Roksana Manzatu, eurodeputete dhe ish-ministre për fondet evropiane;

- Sllovakia: Marosh Shefçoviç, nënkrytear i Komisionit Evropian për Marrëveshjen e Gjelbër dhe për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale;

- Slloveni: Marta Kos, ish-ambasadore në Gjermani dhe Zvicër;

- Hungari: Oliver Varhei, Komisioner për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë;

- Finlandë: Hena Virkunen, ish-deputete dhe ish-ministre e Arsimit, Administratës Publike dhe Transportit;

- Francë: Stefan Sezhurne, Ministër i Punëve të Jashtme dhe Evropiane;

- Holandë: Uopke Hoekstra, Komisioner Evropian për Veprimin për Klimën;

- Kroacia: Dubravka Shuica, Komisionere Evropiane për Demokraci dhe Demografi;

- Republika Çeke: Jozef Sikela, Ministër i Industrisë dhe Tregtisë;

- Suedi: Jesika Rosuoll, Ministre e Çështjeve Evropiane dhe Bashkëpunimit Nordik; dhe

- Spanjë: Tereza Ribera, Ministre e Tranzicionit Ekologjik.

Gjermania dhe Estonia nuk propozuan kandidatë për Komisionerë Evropianë këtë vit, sepse vendin e Gjermanisë e mori kryetarja e KE-së, Fon der Lajen, ndërsa vendin e Estonisë e zë ish-kryeministrja dhe eurodeputetja Kaja Kalas, e cila u propozua në qershor nga Këshilli i BE-së si Përfaqësuese e Lartë e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë.

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR