• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Fon der Lajen drejtuar shkencëtarëve në mbarë botën: Zgjidhni Evropën

Fon der Lajen drejtuar shkencëtarëve në mbarë botën: Zgjidhni Evropën

Bruksel, 30 prill 2025 (MIA) – Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, u bëri thirrje shkencëtarëve dhe hulumtuesve nga e gjithë bota të punojnë në Evropë, pasi administrata e presidentit amerikan Donald Tramp u kërcënua se do ta ulë financimin federal për Harvardin dhe universitetet e tjera amerikane. 

Universitetet amerikane ishin cak i administratës, kryesisht për shkak të mënyrës në të cilën reaguan për protestat propalestineze kundër luftës në Gazë vitin e kaluar, por edhe për çështje siç janë programet për diversitet, nismat klimatike dhe politikat transgjinore. 

“Debatet e ashpra janë të mirëseardhura në universitetet (evropiane). Vlerësojmë se liria e shkencës dhe hulumtimit është fundamentale”, tha Fon der Lajen në Valenci, ku mori pjesë në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane konservatore. “Jo vetëm sepse kjo është vlerë themelore për ne, por edhe sepse ashtu përparojnë përsosmëria dhe inovacioni”, theksoi ajo. 

“Për këtë Evropa është e hapur për më të mirët dhe më të mençurit. Për këtë do tu ofrojmë: ‘Zgjidhni Evropën’”. Sepse duam që shkencëtarët dhe hulumtuesit nga e gjithë bota ta bëjnë Evropën shtëpinë e tyre dhe përsëri ta bëjnë Evropën shtëpi të inovacioneve”. 

Shkencëtari nga Harvardi, Donald Ingber, paraprakisht këtë muaj deklaroi se njeh njerëz me doktoratë të cilët heqin dorë nga qëndrimet e tyre hulumtuese në SHBA sepse frikohen që të jetojnë në Amerikë si të huaj. Ata kthehen në Kinë ose Evropë që ta përfundojnë punën e tyre, theksoi ai. fc/

 

QËNDRONI TË LIDHUR