• e premte, 22 nëntor 2024

Fon der Lajen është favorit për mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian

Fon der Lajen është favorit për mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian

16 janar 2024

Politiko

Ursula fon der Lajen është aktualisht favoritja për një mandat të dytë në krye të Komisionit Evropian dhe asnjë kandidat tjetër nuk duket të ketë shansin për ta zëvendësuar atë kur udhëheqësit e BE-së të takohen këtë verë për të vendosur mbi emërimin e drejtuesve të rinj të institucioneve evropiane, shkruan portali i Brukselit “Politiko”.

Për njëfarë kohe vitin e kaluar, dukej se kandidatura e Ursula Fon der Lajenit për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian mund të dështonte.

Në një udhëtim të paplanifikuar në Izrael tetorin e kaluar, Fon der Lajen, duke qëndruar pranë kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, shprehu solidaritet të parezervë në luftën e Izraelit kundër Hamasit.

Siç citohet në analizën e portalit të Brukselit “Politiko”, deklarata e saj për temën përçarëse në BE do të ishte e përshtatshme nëse do të ishte folur nga presidenti amerikan, por duke ardhur nga kreu i një prej institucioneve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, fjalët e Fon der Lajenit shkaktuan reagimin më të ashpër nga zyrtarët evropianë në katër vitet e saj në detyrë.

Diplomatët shprehën pakënaqësi që Ursula Fon der Lajen injoroi një deklaratë të përbashkët të ministrave të jashtëm të BE-së që i bënë thirrje Izraelit të tregojë përmbajtje dhe të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe rreth 800 zyrtarë të Komisionit Evropian nënshkruan një shkresë duke kritikuar mbështetjen e saj "të pakushtëzuar dhe të pakontrolluar" për njërën nga dy palët e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Zhosep Borell, kritikoi publikisht Ursula fon der Lajenin "për pretendimin se fliste për të gjithë BE-në".

"Ajo po sillet gjithnjë e më shumë si një mbretëreshë," tha një diplomat evropian për “Politiko” në atë kohë, duke kritikuar Fon der Lajenin për tejkalimin e autoritetit të saj, injorimin e pikëpamjeve të qeverive evropiane në procesin e vendimmarrjes dhe vendosjen me dekret për një grup të vogël tek këshilltarët e saj.

Megjithatë, vetëm pak muaj më vonë, pozicioni i saj u bë sërish i fortë dhe i qëndrueshëm, thekson portali i Brukselit, duke shtuar se pa kërkuar falje apo tërhequr deklaratat e saj, ajo përballoi stuhinë politike dhe doli prej saj e padëmtuar politikisht, “në mos më e fortë se kurrë".

Fon der Lajen është aktualisht favoritja për një mandat të dytë në krye të KE-së, thekson “Politiko” dhe shton se përballë kritikave, ajo tregon aftësinë e ish-presidentit amerikan Donald Tramp për t'u mbrojtur në mënyrë sfiduese, duke qëndruar i qetë dhe i përmbajtur gjatë situatës së krizës, me një buzëqeshje në fytyrë gjatë gjithë kohës, derisa kritikët e saj të zhduken.

Në një ngjarje të organizuar nga “Politiko” në nëntor, ajo nuk pranoi të konfirmonte se do të kandidonte përsëri, por ishte e lumtur t'i përgjigjej një pyetjeje se çfarë do të bënte me një mandat të dytë, duke thënë se "do të ruante drejtimin e mandatit të saj aktual në të gjitha çështjet kryesore politike", citon portali i Brukselit.

Në bisedat e “Politiko” me dhjetëra zyrtarë dhe diplomatë të BE-së, pak shprehën dyshime serioze se Ursula Fon der Lajen do të shërbente për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian nëse do të dëshironte.

Kur emri i saj u shfaq në qarqet politike evropiane në vitin 2019 pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ajo ishte një mister për të gjithë, përveç institucionit në Berlin, ku ajo kishte arritur të ngjitej në krye të politikës gjermane nën kancelaren e atëhershme Angela Merkel.

Ursula Fon der Lajen mbërriti në Bruksel thuajse papritur.

Zgjedhja e ish-ministres gjermane të mbrojtjes si kryetare e Komisionit Evropian në një farë mënyre dhe personalisht nënkuptonte se ajo po kthehej në shtëpi.

Babai i saj Ernest Albreht ishte një nga zyrtarët e parë të BE-së dhe ajo i kaloi 13 vitet e para të jetës së saj në lagjen Iksel të Brukselit, nën hijen e institucioneve të BE-së, duke ndjekur një shkollë evropiane.

Për Ursula fon der Lajen, zgjidhja kryetare e Komisionit Evropian ishte gjithashtu "një mundësi për të shpëtuar anijen që po fundosej", citon “Politiko”.

Ajo u pa fillimisht si e mbrojtura e Merkelit, por karriera e saj u sfidua nga skandali mbi përdorimin e konsulentëve të jashtëm pa mbikëqyrjen e duhur në ministrinë e saj.

Edhe kur Fon der Lajen mori detyrën si kryetare e KE-së, ajo po përballej me një hetim parlamentar në Gjermani, me deputetë të indinjuar nga zhdukja e celularëve që besohet të jenë prova kryesore në rastin kundër ish-ministrit të mbrojtjes.

Mirëpo, edhe atëherë, brenda një kohe të shkurtër, kritikat e kundërshtarëve u zhdukën.

Fon der Lajen u etablua shpejt si kryetarja më e fuqishme e Komisionit Evropian që nga Zhak Delors, titani i politikës evropiane, i cili vdiq në dhjetor të vitit 2023.

Ajo ka qenë e njohur për atë se ka fjetur në selinë e Komisionit, duke punuar me orë të gjata, madje edhe në fundjavë por edhe gjatë misioneve jashtë vendit, ndonjëherë informohet edhe gjatë stërvitjes në palestër për të kursyer kohë.

Puna e saj e palodhur dhe orari i udhëtimeve janë bërë objekt shakash në selitë e BE-së, veçanërisht mes kolegëve të saj, por performanca e saj nën presion i ka dhënë asaj një reputacion si një menaxhere e suksesshme krizash, një person dinamik, i përgatitur mire, e afërt me Uashingtonin dhe e aftë për të shpërndarë mjegullën që nganjëherë ngrihet mbi Bruksel.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR