• e premte, 05 dhjetor 2025

Fluturimet nga Gjermania janë bërë ndjeshëm më të shtrenjta, përfshirë edhe transportuesit me kosto të ulët

Fluturimet nga Gjermania janë bërë ndjeshëm më të shtrenjta, përfshirë edhe transportuesit me kosto të ulët

Berlin, 8 korrik 2025 (MIA) - Udhëtimet nga aeroportet në Gjermani janë bërë ndjeshëm më të shtrenjta në kushte të një oferte të vazhdueshme të ulët të fluturimeve dhe taksave e tarifave të larta, ndërsa kompanitë ajrore me buxhet të ulët po ndjekin këtë trend, tregon studimi i Qendrës gjermane për aviacion dhe udhëtime hapësinore – DLR.

Biletat ajrore për një drejtim pa bagazh kushtojnë mesatarisht ndërmjet 67 dhe 130 euro, llogariti DLR në analizën në të cilën u përfshinë katër nga kompanitë kryesore me buxhet të ulët në Gjermani.

 Një vit më parë, bileta të tilla kushtonin ndërmjet 66 dhe 110 euro.

Çmimet e biletave ajrore me buxhet të ulët gjithashtu po rriten, ndërsa Rajaneri nuk është më më i lirë, me një çmim mesatar bilete prej 80 euro, krahasuar me 66 euro vitin e kaluar.

Bileta më e shtrenjtë është në Eurouings, degën e Lutfthansas, ku çmimi mesatar për një biletë në një drejtim është 130 euro, që është 20 euro më e lartë se vitin e kaluar.

DLR, gjithashtu analizoi linjat ajrore europiane nga 11 marsi dhe çmimet për katër periudha të rezervimit, nga një ditë deri në tre muaj para fluturimit.

Biletat më të shtrenjta gjatë asaj periudhe ishin ato për udhëtimet në momentin e fundit, me çmime që varionin nga 119 euro (Vizer) deri në 169 euro (Eurouings). Biletat e rezervuara tre muaj para fluturimit ishin pak më të lira mesatarisht dhe kushtonin mes 46 euro (Rajaner) dhe 90 euro (Eurouings).

Bileta më e shtrenjtë në një drejtim për një fluturim me Eurouings nga Dyzeldorfi në Stokholm, i rezervuar një javë më parë, kishte çmim prej 499,99 euro.

Në të njëjtën kohë, Gjermania mbetet pas pjesës tjetër të Europës në rimëkëmbjen nga kriza e pandemisë, pasi trafiku akoma nuk ka arritur nivelin e vitit para pandemisë të vitit 2019. Kapacitetet, të shprehura përmes numrit të vendeve, akoma janë më të ulëta për nëntë për qind në krahasim me vitin 2019, ndërsa në shtetet e tjera evropiane ato e kanë kaluar nivelin para pandemisë për 10 për qind, zbuloi Asociacioni gjerman i aviacionit BDL. qa/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR