Finlanda po heton cisternën "Igël Es" të dyshuar për sabotim në Detin Baltik
- Agjencia Finlandeze e Transportit dhe Komunikimeve ka njoftuar se do të inspektojë cisternën e naftës "Igël Es", e cila dyshohet se i përket "flotës fantom" ruse dhe se ka shkaktuar dëme në një kabllo nënujore në Deti Baltik.
- Post By Sara Ademi
- 13:57, 2 janar, 2025
Helsinki, 2 janar 2025 (MIA) - Agjencia Finlandeze e Transportit dhe Komunikimeve ka njoftuar se do të inspektojë cisternën e naftës "Igël Es", e cila dyshohet se i përket "flotës fantom" ruse dhe se ka shkaktuar dëme në një kabllo nënujore në Deti Baltik.
"Më 2 janar të vitit 2025, Agjencia Finlandeze e Transportit dhe Komunikimeve (Trafikom) do të nisë një inspektim të cisternës "Igël Es”, tha drejtoresha e Trafikom, Sana Soninen, duke specifikuar se inspektimi do të plotësojë hetimin e kryer nga policia finlandeze.
"Ne do ta kryejmë inspektimin në një mënyrë që nuk do të ndërhyjë në operacionet e policisë dhe hetimin", theksoi Soninen.
"Igël Es" me flamur nga Ishujt Kuk dyshohet se ka dëmtuar kabllon e energjisë nënujore "IstLink 2" që lidh Finlandën dhe Estoninë përmes Detit Baltik në ditën e Krishtlindjes.
Cisterna u shoqërua në portin e Kilpilahti, 40 kilometra në lindje të Helsinkit, ku hetuesit po e inspektojnë atë dhe po marrin në pyetje ekuipazhin e tij prej rreth 20 personash. Nga e martja, shtatë marinarë janë nën dyshime dhe u është ndaluar udhëtimi.
Dyshohet se "Igël Es" është pjesë e "flotës fantom" të Rusisë - anije që transportojnë naftë ruse të embargos dhe produkte nafte.
Të premten, NATO njoftoi se do të rrisë praninë e saj ushtarake në Detin Baltik.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, shumë incidente të ngjashme janë regjistruar në Detin Baltik. Sipas ekspertëve dhe politikanëve, këto veprime që synojnë infrastrukturën energjetike dhe komunikuese janë pjesë e luftës hibride mes Rusisë dhe vendeve perëndimore.
Më 17 dhe 18 nëntor, dy kabllo telekomunikacioni janë prerë në ujërat territorial suedez. Stokholmi dyshon se anija e mallrave me flamur kinez "Ji Peng 3" ishte në zonë kur ndodhi incidenti.
Bashkimi Evropian ka njoftuar forcimin e masave për mbrojtjen e kabllove nënujore, nëpërmjet përmirësimit të shkëmbimit të informacionit, aplikimit të teknologjive të reja për zbulimin dhe riparimin, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. sa/
foto: arkivi