• e diel, 22 dhjetor 2024

Finlanda do të votojë për kthimin e emigrantëve nga kufiri me Rusinë

Finlanda do të votojë për kthimin e emigrantëve nga kufiri me Rusinë

Helsinki, 12 korrik 2024 (MIA) - Parlamenti i Finlandës sot do të votojë propozim-ligjin që do t'u japë rojeve kufitare autorizime për të kthyer azilkërkuesit që kalojnë nga Rusia pasi më shumë se 1,300 njerëz mbërritën në vend duke detyruar Helsinkin të mbyllë kufirin.

Finlanda ka akuzuar Rusinë fqinje për përdorimin e migracionit si armë, duke bërë që shumë emigrantë nga vende të tilla si Siria dhe Somalia të kalojnë kufirin gjë që Kremlini e mohon. Helsinki beson se Moska po nxit kalimet në shenjë hakmarrjeje për hyrjen e Finlandës në NATO.

Qeveria e djathtë e kryeministrit Peteri Orpo tha se propozim- ligji është kyç për ndalimin e hyrjeve të ardhshme edhe pse ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Finlandës për të drejtat e njeriut. Që nga muaji mars nuk ka pasur asnjë ardhje të re të azilkërkuesve. Finlanda në fund të vitit të kaluar mbylli kufijtë e saj tokësor me Rusinë. Pritet që propozim- ligji të miratohet sepse do të ketë mbështetjen e shumicës së ligjvënësve nga partia kryesore opozitare, Socialdemokratët, sipas zyrtarëve të partisë. Analistët deklarojnë se ka mundësi që disa socialdemokratë të votojnë ndryshe, pra shumica të jetë e ngushtë.

Që ligji të miratohet, parlamenti duhet së pari të pranojë një procedurë urgjente. Propozim- ligji duhet të miratohet me dy të tretat e shumicës. Mbështetësit e ligjit thonë se ai është i nevojshëm në mënyrë që autoritetet të mund të ndalin presionin nga valët e emigrantëve të Finlandës.

Në të kundërtën, liderja e Partisë opozitare të të Gjelbërve, Sofia Virta tha se ligjvënësit duhet "të respektojnë shtetin e së drejtës" dhe "të respektojnë detyrimet ndërkombëtare të Finlandës". "Nuk ka asnjë garanci se kjo do të jetë një mënyrë efektive për të neutralizuar ndikimin armiqësor të Rusisë," shtoi ajo. qa/

Foto: arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR