• e enjte, 04 dhjetor 2025

Fillon Samiti i BE-së dhe Amerikës Latine në Kolumbi

Fillon Samiti i BE-së dhe Amerikës Latine në Kolumbi

Bruksel, 9 nëntor 2025 (MIA) - Udhëheqësit nga Bashkimi Evropian dhe Komuniteti i Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAK) mblidhen sot në Kolumbi për samitin e tyre të katërt, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në energji, ndryshime klimatike dhe siguri ndërkombëtare, njoftoi DPA.

Midis pjesëmarrësve në bisedimet dy-ditore në qytetin bregdetar të Santa Martës janë presidenti brazilian Luiz Inasio Lula da Silva, shefja e politikës së jashtme të BE-së Kaja Kalas dhe kryeministri spanjoll Pedro Sançez.

Së bashku, BE-ja dhe CELAK përfaqësojnë më shumë se një miliard njerëz, që përbëjnë 14 për qind të popullsisë së botës dhe 21 për qind të prodhimit ekonomik global.

Megjithatë, lista e të ftuarve për takimin është dukshëm e ngushtë. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, nuk do të marrë pjesë, ashtu si edhe udhëheqësit e Gjermanisë, Francës, Meksikës, Argjentinës dhe Kilit.

Presidenti kolumbian Gustavo Petro, nikoqiri, planifikon të ngrejë çështjen e sulmeve vdekjeprurëse ushtarake amerikane ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge në Detin e Karaibeve.

Prania e rritur ushtarake e SHBA-së në rajon shkaktoi shqetësim se administratata e Donald Trampit mund të vendosë themelet për operacion të kahëzuar drejt rrëzimit të qeverisë autoritare të presidentit të Venezuelës Nikolas Maduro.

Uashingtoni, gjithashtu vendosi sanksione ndaj Petros muajin e kaluar, duke e akuzuar për mungesë të vendosmërisë në luftën kundër kartelëve të drogës. sa/

foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR