Fillon debati mbi ribalancin e Buxhetit
- Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet sot në mëngjes filloi debati mbi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2025, në lexim të dytë ku janë paraqitur më shumë se 200 amendamente.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:58, 2 korrik, 2025
Shkup, 2 korrik 2025 (MIA) - Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet sot në mëngjes filloi debati mbi Propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2025, në lexim të dytë ku janë paraqitur më shumë se 200 amendamente.
Të ardhurat totale janë projektuar në nivelin prej 362,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në shumën prej 403,7 miliardë denarë, për një përqindje (rreth 3,5 miliardë denarë) më shumë në krahasim me parashikimet fillestare në planin për këtë vit. Projeksioni për BPV-në mbetet 3,7 për qind, ndërsa inflacioni është projektuar në nivelin e 2,8 për qind. Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar si në vlerë absolute ashtu edhe si përqindje e BPV-së, gjegjësisht 41,3 miliardë denarë ose 4 për qind të BPV-së. Shpenzimet kapitale do të jenë në shumën prej 47,5 miliardë denarë. Shuma e borxhit të shtetit në fund të vitit 2025, sipas projeksioneve të Qeverisë do të arrijë 53,3 për qind nga BPV-ja, ndërsa borxhi publik pritet të jetë në nivelin e 62,1 për qind.
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski shpjegoi se ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Buxhet janë konfirmim i politikës fiskale për nevojën e konsolidimit dhe menaxhimit të përmirësuar të financave publike. Ato bazohen, siç sqaroi, në supozime makroekonomike të pandryshuara dhe përshtatje të projeksioneve fiskale, të cilat në anën e shpenzimeve sigurojnë financimin e plotë dhe realizimin e prioriteteve strategjike dhe angazhimeve programore, pa ndryshuar nivelin e deficitit buxhetor.
"Qëllimi është realizimi pa pengesa i Buxhetit dhe ruajtja e të njëjtit nivel të deficitit buxhetor të planifikuar me Buxhetin fillestar. Me projeksionet fiskale të rishikuara bëhet përshtatja e shpenzimeve me realizimin e deritanishëm dhe pritshmëritë, gjegjësisht sigurohen fonde për pagesat e pagave, pensioneve, aktiviteteve programore dhe projekteve, duke përdorur njëkohësisht fondet nga vitet e kaluara në llogaritë speciale", theksoi Jankullovski.
Diskutimi i përgjithshëm dhe debati mbi amendamentet duhet të përfundojnë brenda dhjetë ditësh.