Filloi me punë Kongresi i 119-të i SHBA-së, zgjedhja e kryetarit në qendër të vëmendjes
- Në përbërjen e re të 119-të radhazi të Kongresit të SHBA-së, republikanët po përballen me probleme për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës përfaqësuese, ndonëse partia e tyre ka kontroll mbi Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin.
Uashington, 3 janar 2025 (MIA) - Në përbërjen e re të 119-të radhazi të Kongresit të SHBA-së, republikanët po përballen me probleme për zgjedhjen e kryetarit të Dhomës përfaqësuese, ndonëse partia e tyre ka kontroll mbi Shtëpinë e Bardhë dhe Senatin.
Risi në përbërjen e re të Senatit janë 53 vendet republikane nga 100, që është më pak se 60 votat e nevojshme për të miratuar shumicën e ligjeve. Nga pozita u largua senatori Miç Mekonell, i cili ishte kreu i fraksionit republikan në Senat për tetëmbëdhjetë vjet, dhe në vend të tij është zgjedhur Xhon Tun, lideri i ri i shumicës republikane në dhomën e sipërme të Kongresit.
Me 219 mandate të fituara, republikanët arritën të merrnin shumicën, por shumë ngushtë edhe në Dhomën përfaqësuese. Demokratët fituan 215. Këtu, çështja qendrore është zgjedhja e kryetarit. Pozicioni i Majk Xhonson, kryetari aktual, është shpartalluar që nga muaji i kaluar kur ai bëri një marrëveshje me demokratët për të vazhduar financimin e qeverisë.
Duhen vetëm dy republikanë për të votuar kundër Xhonson për të rrezikuar rizgjedhjen e tij. Demokratët pritet të nominojnë Hakim Xhefris si kandidatin e tyre për kryetar, por me shumë gjasa ai do të arrijë disa vota më pak.
Donald Tramp, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, këtë javë në rrjetet sociale e mbështeti Xhonsonin për kryetar të Dhomës përfaqësuese, me fjalët "një njeri i mirë, punëtor dhe fetar". Nga ana tjetër, dy kongresmenë nga krahu konservator i partisë, Çip Roj dhe Tomas Masi, shprehën dyshime për udhëheqjen e Xhonson, ndërsa Stive Benon, një aleat dhe këshilltar i Trampit, madje u bëri thirrje republikanëve që të largojnë Xhonson nga udhëheqja e partisë.
Dy vjet më parë, në fillim të përbërjes së mëparshme të Kongresit, në luftën për vendin e kryetarit me probleme të ngjashme u përball edhe republikani Kevin Mekarti. Si rezultat i grindjeve të brendshme partiake, ai u zgjodh pasi dhoma e ulët votoi për të 15 herë. ls/