• e shtunë, 23 nëntor 2024

Filloi mbledhja e parë e kryesisë së re qendrore të BDI-së

Filloi mbledhja e parë e kryesisë së re qendrore të BDI-së
Tetovë, 29 tetor 2022 (MIA) – Mbledhja e parë konstituive e kryesisë së sapozgjedhur të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI),  filloi në orën 15 pasi ky organ partiak me 37 anëtarë u zgjosh më 15 tetor. Siç paralajmëroi zëdhënësi i partisë Bujar Osmani, në këtë takim do të ketë aktivitete për zgjedhjen e organeve tjera të partisë, por do të vlerësohet edhe puna e anëtarëve të partisë që janë funksionarë në pushtetin ekzekutiv. "Kjo është mbledhja e parë konstituive e kryesisë qendrore. Do të zgjidhen sekretariatet, ekipi këshillues i Ahmetit dhe më pas do të bëhet vlerësimi i të gjithë të zgjedhurve. Nuk pres që të ketë vendime të rëndësishme", deklaroi Osmani para fillimit të takimit. Një pjesë e funksionarëve partiakë, si dhe një pjesë e të ashtuquajturit "Grupi i zjarrit", para fillimit të takimit dhanë deklarata të shkurtra për mediat. Izet Mexhiti, i cili është pjesë e "Grupit të zjarrit", pret një debat të vërtetë dhe paralajmëroi se do të kërkojnë ndërrimin e Artan Grubit. "Do të gabojë kushdo që mendon se do të ketë vetëm një debat formal. Mendoj se ky është Bashkimi Demokratik për Integrim ku gjithmonë ka debate të nxehta në funksion për të korrigjuar veten, përpara se të na korrigjojë populli. Për shkak të joefikasitetit, mosrealizimit  të programit, do të kërkojmë ndërrimin e zotit Grubi", tha Mexhiti. Musa Xheferi, i cili gjithashtu është pjesë e këtij grupi, paralajmëroi debat. Sipas tij, lëvizje ka vetëm në politikën e jashtme të shtetit, ndërsa në politikën e brendshme dhe ekonominë nuk ka kurrfarë rezultate. "Për gjendjen në shtet nuk ka progres, progres ka vetëm në politikën e jashtme, rrugën drejt integrimit në BE dhe jemi anëtare e NATO-s, ndërsa ekonomia është e dobët dhe prandaj do të kërkojmë lëvizjen e pozicioneve, le të  vijnë gjenerata që janë më të përgatitur", tha Xhaferi. Grubi, ndërkaq, në një deklaratë të shkurtër për mediat ka komentuar ditën e sotme si një ditë të mrekullueshme edhe për BDI-në dhe për të gjithë qytetarët. "Ditë me diell dhe e bukur, ditë e bukur, edhe për BDI-në dhe për të gjithë qytetarët. Për aq kohë sa do të  zgjasë", tha Grubi. Riorganizimi i partisë filloi pasi në shtator i ashtuquajturi "Grupi i zjarrit" kërkoi reforma në BDI. Pas disa takimeve të kryetarit Ali Ahmeti me degët u mbajt Këshilli Qendror në të cilin u zgjodh kryesia e re. ar/

QËNDRONI TË LIDHUR