Filipçe: Deri në fund të vitit do të mungojnë 1.4 miliardë euro për të paguar pagat, pensionet dhe ndihmën sociale
- Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare "Luftojmë për shtëpinë tonë" në Mavrovë dhe Rostushë, kritikoi ashpër politikën ekonomike të qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke paralajmëruar për probleme serioze financiare dhe rënie të investimeve të huaja.
- Post By Sara Ademi
- 23:54, 15 tetor, 2025
Mavrovë dhe Rostushë, 15 tetor 2025 (MIA) - Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në tribunën qytetare "Luftojmë për shtëpinë tonë" në Mavrovë dhe Rostushë, kritikoi ashpër politikën ekonomike të qeverisë aktuale të udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke paralajmëruar për probleme serioze financiare dhe rënie të investimeve të huaja.
Filipçe theksoi se sipas vlerësimeve, deri në fund të vitit në buxhetin e shtetit do të mungojnë 1.4 miliardë euro, gjë që, tha ai, do të rrezikojë pagesën e rregullt të pagave, pensioneve, ndihmës sociale dhe mbështetjes për kompanitë.
"Për një vit e gjysmë kemi paralajmëruar, duke theksuar se po ndjekin politika të këqija ekonomike, se do të përfundojmë në humnerë, por ata thjesht nuk i vënë re sugjerimet, propozimet dhe indikacionet tona. Deri në fund të vitit, buxheti i shtetit do të jetë i mangët prej 1.4 miliardë eurosh, 1.4 miliardë euro do të mungojnë për të paguar pagat, për të paguar pensionet, do të mungojnë para për të ofruar ndihmë sociale dhe për të ofruar ndihmë për kompanitë. Këto para mund të merren vetëm nga huamarrje të reja", theksoi Filipçe.
Ai shtoi se ndërsa vendet në rajon po përjetojnë rritje ekonomike dhe rritje të pagave, ekonomia e Maqedonisë po stagnon dhe punëtorët nuk mund të marrin as një pagë minimale prej 500 eurosh.
Në fjalimin e tij, Filipçe u ndal edhe te rënia e investimeve të huaja, duke theksuar se në dy tremujorët e parë të vitit 2025, investimet kanë qenë nën 300 milionë euro, ndryshe nga viti 2024 kur, sipas tij, falë politikave të LSDM-së, u tërhoqën një miliard euro rekord.
"Investitorët e huaj po humbasin besimin. Ata e dinë se vendi udhëhiqet nga një qeveri pa vizion, pa kapacitet për reforma dhe pa interes për një të ardhme evropiane", theksoi Filipçe.
Ai arriti në përfundimin se qytetarët përballen me ngecjen ekonomike çdo ditë, nuk ka projekte të reja, nuk ka rritje të pagave dhe pensioneve, dhe besimi në institucione po humbet.
"Më 19 tetor, qytetarët do të dërgojnë një mesazh të fortë. Është koha për zhvillim, stabilitet dhe një Maqedoni evropiane", tha Filipçe. sa/
Foto: LSDM