• e premte, 05 dhjetor 2025

Filipçe bëri thirrje për dalje masive në zgjedhje dhe mbështetje të kandidatëve të LSDM-së

Filipçe bëri thirrje për dalje masive në zgjedhje dhe mbështetje të kandidatëve të LSDM-së

Shkup, 31 tetor 2025 (MIA) – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot bëri thirrje për dalje masive në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën dhe mbështetje nga qytetarët për kandidatët e LSDM-së dhe koalicionit. 

“Të gjithë kandidatët do të jenë në anën tuaj për programe që janë realiste dhe që mund të realizohen. Duke votuar për ta, u them qytetarëve se po votojnë për ndershmëri, për llogaridhënie dhe për njerëz që kanë rezultate pas tyre”, tha Filipçe në konferencë për media në selinë e partisë LSDM në Shkup.

Kandidatët e LSDM-së që luftuan për rrethin e dytë në 17 komuna, sipas tij, treguan se çfarë do të thotë të krijosh programe dhe zhvilluan fushatë të mirë, por "u përballën me presion, frikësim dhe abuzim të institucioneve nga VMRO-DPMNE dhe ZNAM".

Theksoi se në rrethin e dytë kërkojnë mbështetje nga të gjithë qytetarët dhe votuesit pa marrë parasysh për kë votuan në rrethin e parë. 

Potencoi se në ato komuna LSDM nuk do të hyjë as kanë hyrë në kalkulime dhe marrëveshje të fshehta. 

Filipçe tha se LSDM nuk ka bashkëpunim formal as bisedime me asnjë parti për zgjedhje të kryetarit të Shkupit ku në rrethin e dytë janë kandidatët e VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski dhe i Së majtës, Amar Mecinoviq. 

Nuk ka, siç tha, as marrëveshje për mbështetje të Stevço Jakimovskit në Karposh, edhe pse ishte publikuar një fotografi e përbashkët e kandidates së LSDM-së, Maja Mojsovska nga rrethi i parë i zgjedhjeve me Jakimovskin. 

Në lidhje me komunat e tjera, bëri të ditur, njerëzit shumë mirë e dinë cilët janë kandidatët të cilëve mund tu besojnë, cilët do të ofrojnë, cilët kanë marrëdhënie të mira dhe kjo do të jetë forca e LSDM-së në ditën e votimit. 

Filipçe beson se trendi i rënies së mbështetjes për partinë në pushtet duhet të vazhdojë, siç tha ai. “Kjo ishte e dukshme në rrethin e parë, VMRO-DPMNE humbi mbi 140.000 vota për një vit e gjysmë, që është një tregues i qartë se atmosfera opozitare po rritet. Pres që kjo të intensifikohet pas zgjedhjeve sepse qeveria nuk ka ofruar zgjidhje për problemet e qytetarëve”, tha Filipçe.

Vota, tha ai, është protesta jonë më e fuqishme kundër paaftësisë, rezistenca më e fortë ndaj apatisë dhe e vetmja mënyrë për të ndërtuar shoqëri të drejta, normale dhe të afërta me qytetarët. fc/

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR