Fidan: Në negociatat paqësore rreth luftës në Ukrainë duhet të përfshihen të dyja palët
- Edhe Ukraina edhe Rusia, do të thotë të dyja palët, duhet të përfshihen në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, deklaroi sot shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:43, 24 shkurt, 2025

Ankara, 24 shkurt 2025 (MIA) - Edhe Ukraina edhe Rusia, do të thotë të dyja palët, duhet të përfshihen në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, deklaroi sot shefi i diplomacisë turke, Hakan Fidan.
"Përderisa sot hyjmë në vitin e katërt të luftës, i japim rëndësi të madhe nismës së re amerikane. Besojmë se zgjidhja mund të gjindet përmes negociatave në të cilat marrin pjesë të dyja palët", deklaroi Fidan në konferencën për shtyp në Ankara së bashku me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov.
Fidan shtoi se "Turqia është e gatshme ta marrë rolin e ndërmejtësit".
"Qëllimi ynë është ta përfundojmë këtë luftë shkatërruese sa më parë të jetë e mundur dhe t'i shërojmë plagët në rajon", tha ai.
Sergej Llavrov deklaroi se Rusia do të ndalojë së luftuari në Ukrainë vetëm kur do ta marrë atë që dëshiron nga bisedimet për përfundimin e konfliktit, të cilin duan ta përfundojnë presidenti rus dhe ai amerikan.
Turqia, edhe pse është anëtare e NATO-s, prej fillimit të konfliktit arriti t'i mbajë lidhjet me Moskën dhe Kievin.
Ajo i furnizon ukrainasit me fluturake luftarake pa pilot, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. ab/
foto: ЕPА