• e hënë, 23 dhjetor 2024

Fico: Tërheqja e Rusisë nga Donbasi dhe Krimea është absolutisht joreale

Fico: Tërheqja e Rusisë nga Donbasi dhe Krimea është absolutisht joreale

Bratislavë, 16 shkurt 2024 (MIA) - Ideja se Rusia do të tërhiqet nga Donbasi dhe Krimea është “absolutisht joreale”, deklaroi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico për portalin “Hlavnespravi.sk”.

“Nëse dikush mendon se e vetmja zgjidhje për konfliktin në Ukrainë është që rusët të kthehen në kufirin ku ishin (para përshkallëzimit të konfliktit në shkurt 2022) dhe të tërhiqen nga Krimea - kjo është absolutisht joreale. Ne duhet të adaptohemi me realitetin e ri që kemi tani. Është naive të besohet se rusët do ta lëshojnë Donbasin dhe Luhanskun, është naive të mendohet se rusët do të largohen nga Krimea”, tha kryeministri sllovak.

Sipas tij, nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Ukrainë.

“Me të vërtetë do të doja që kjo luftë të përfundojë. Ndryshe do të jemi dëshmitarë të një numri të madh të viktimave nga të dyja palët. Nuk mund ta imagjinoj se si do të duket paqja mes Rusisë dhe Ukrainës, por kjo do të ndodhë”, thotë Fico.

Ai konsideron se si Ukrainës ashtu edhe Rusisë i nevojitet garanci e sigurisë për t'i dhënë fund konfliktit sa më shpejt të jetë e mundur.

“Duke folur për një rregullim të ardhshëm të marrëdhënieve ruso-ukrainase, mund të thuhet se do të jetë një proces i dhimbshëm për të dyja palët. Duhet t'u jepen disa garanci të sigurisë. Dikush duhet t'i japë garanci Ukrainës dhe dikush Rusisë", tha Fico.

Ai shtoi se Perëndimi e ka mashtruar Rusinë, duke siguruar se NATO nuk do të zgjerohet. Prandaj, Rusia po lufton për garancitë e sigurisë për vete "sepse ndjen se tani nuk i ka".

“Që konflikti të përfundojë, Rusia dhe Ukraina duhet të jenë të kënaqura. Ukraina duhet të ndjejë se siguria e saj është e garantuar. Rusia duhet të marrë garanci se NATO nuk do të zgjerohet më tej në kurriz të Ukrainës”, ka thënë kryeministri sllovak.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR