Fico paralajmëron normalizimin e marrëdhënieve mes Sllovakisë dhe Rusisë
- Kryeministri sllovak, Robert Fico, gjatë takimit të sotëm me presidentin rus Vladimir Putin në Kinë, deklaroi se Bratisllava dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Moskën dhe të importojë më shumë gaz rus përmes gazsjellësit Rrjedha turke.
- Post By Qefsere Abduli
- 18:51, 2 shtator, 2025
Pekin, 2 shtator 2025 (MIA) - Kryeministri sllovak, Robert Fico, gjatë takimit të sotëm me presidentin rus Vladimir Putin në Kinë, deklaroi se Bratisllava dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Moskën dhe të importojë më shumë gaz rus përmes gazsjellësit Rrjedha turke.
Kjo është në kundërshtim me qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili planifikon që deri në fund të vitit 2027 plotësisht të lirohet nga burimet energjetike ruse, si ndëshkim për invazionin rus ndaj Ukrainës. Ndërkohë, Sllovakia dhe Hungaria, vende anëtare të BE-së, po përpiqen të ruajnë lidhjen politike me Rusinë, e cila i furnizon ato me energji.
“Dua ta them hapur se jemi jashtëzakonisht të interesuar për standardizimin e marrëdhënieve mes Sllovakisë dhe Rusisë. Të kthehemi në atë që dikur ishte normale, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ekonomik mes vendeve”, theksoi Fico.
Rrjedha turke është i vetmi gazsjellës përmes të cilit gazi rus arrin deri në Evropë pas shpërthimeve në Rrjedhën veriore në shtator të vitit 2022 dhe pasi Ukraina ndaloi tranzitin përmes territorit të saj më 1 janar.
Fico theksoi se Sllovakia ka filluar sërish të lëshojë viza për qytetarët rus, të cilat ishin pezulluar pas sulmit ndaj Ukrainës. Ai shtoi se vendi është i interesuar për kompanitë ruse që marrin pjesë në ndërtimin e një centrali të ri bërthamor, projekt që qeveria e tij ka ndërmend t’ia ndajë kompanisë amerikane "Uestinghaus".
Putini në takim, theksoi se e vlerëson politikën e jashtme të pavarur të Sllovakisë. Fico shumë herë, ka kritikuar mbështetjen e BE-së për Ukrainën, si edhe politikat e izolimit për Rusinë. qa/
Foto: EPA