• e premte, 05 korrik 2024

Fermerët polakë vazhduan me bllokadat në kufirin me Ukrainën

Fermerët polakë vazhduan me bllokadat në kufirin me Ukrainën

Varshavë, 4 janar 2024 (MIA) - Fermerët polakë kanë bllokuar sot vendkalimin Medika në kufirin me Ukrainën, duke vazhduar protestën e tyre për të siguruar subvencione nga qeveria për misrin dhe për të parandaluar rritjen e taksave, njoftoi televizioni privat Polsat Njuz.

Fermerët, të cilët po kërkojnë një marrëveshje me shkrim me qeverinë, më 24 dhjetor e anuluan protestën në vendkalimin në Poloninë juglindore pas takimit me Ministrin e Bujqësisë Çeslav Siekerski.

Lideri i protestës, Roman Kondrov, siç transmeton Polsat njuz, deklaroi se fermerët janë të kënaqur me bisedimet me ministrin dhe guvernatorin lokal, por duan një marrëveshje formale, përcjellin mediat britanike.

Kondrov dje deklaroi se edhe pse Siekerski ka dorëzuar një dokument ku thuhet se kërkesat e fermerëve do të plotësohen, kryeministri nuk ka dhënë deklaratë të nënshkruar.

"Dëshirojmë të nënshkruajmë një marrëveshje dypalëshe", tha Kondrov në konferencën e sotme për shtyp “Nëse bëhet një gjë e tillë, protesta do të ndërprehet derisa të zbatohen kërkesat”, shtoi ai.

Kufiri me Ukrainën është bllokuar gjithashtu nga kamionistët polakë që nga 6 nëntori. Ata duan që Bashkimi Evropian të rivendosë një sistem reciprok që kërkon që kompanitë ukrainase të marrin leje për të punuar në BE.

Kryeministri polak Donald Tusk në dhjetor deklaroi se beson se Varshava ishte afër përfundimit të protestave të kamionistëve. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR