• e hënë, 23 dhjetor 2024

Favorit për kancelarin e ri gjerman është një milioner, i cili në kohën e tij të lirë është pilot

Favorit për kancelarin e ri gjerman është një milioner, i cili në kohën e tij të lirë është pilot

8 nëntor 2024

Hina

 Lideri i opozitës gjermane Friedrih Merc, rivali konservator i Olaf Sholc-it, është kandidati kryesor për t'u bërë kancelar pas rënies së koalicionit qeverisës të Gjermanisë dhe ai premton një zhvendosje djathtas lidhur me çështjen e migrimit si dhe kthimin e vlerave tradicionale.

Këmbëngulja e tij duket se ka dhënë rezultat: në moshën pothuajse 69-vjeçare, kjo shpresë e përjetshme e konservatorëve, e mënjanuar prej kohësh nga ish-kancelarja Angela Merkel, ka nisur tashmë fushatën për zgjedhje të parakohshme, të cilat duken të pashmangshme në Gjermani.

Dhe shpreson që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt.

Të enjten, Merci i bëri thirrje socialdemokratit Sholc, që parlamenti, janë e ardhme të votojë mocionin e besimit ndaj qeverisë dhe të mos presë janarin.

“Ne thjesht nuk mund të përballojmë të kemi një qeveri pa shumicë për disa muaj”, tha kreu i Unionit Demokristian (CDU).

Në barometrin e fundit të transmetuesit publik ZDF-ja, ky veteran kryesisht jopopullor i skenës politike, mori 48 për qind mbështetje për udhëheqjen e ekonomisë më të madhe të Evropës, krahasuar me 37 për qind mbështetjen për kancelarin aktual.

  Një milioner që në kohën e tij të lire është pilot

Friedrih Merc është pilot në kohën e tij të lirë dhe ka dy avionë privatë.

Ai mori drejtimin e CDU-së në janar të vitit 2022 pas humbjes së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare, pas dy përpjekjeve të mëparshme të dështuara në vitin 2018 dhe në vitin 2020.

Që atëherë, ai ka punuar për ta kthyer partinë e tij me orinetim të djathtë, pas centrizmit nën drejtimin e Merkelit dhe po përpiqet të pastrojë imazhin e tij si një njeri që është shtyrë vetëm nga dëshira për t'u hakmarrë ndaj ish-kancelares.

Në vitin 2002, Merkeli e shkarkoi atë nga posti i rëndësishëm i Kryetarit të Klubit të Deputetëve, për këtë arsye ai u tërhoq nga politika në vitin 2009 dhe kaloi në sektorin financiar.

Si avokat në një firmë të madhe biznesi, ky baba i tre fëmijëve, i cili është i martuar me një avokate, ka fituar pozicione me ndikim në kompani të mëdha, duke përfshirë BlackRock, një nga menaxherët më të mëdhenj të pronave në botë.

Milioneri, i cili njohet për arrogancën e tij, njihet edhe për luhatjet e tij të humorit dhe sarkazmën.

Por "Friedrih Merc është aktualisht përgjigja e CDU-së për suksesin e AfD-së", vlerësoi së fundmi e përjavshmja “Di Cajt”.

“Asgjë shumëngjyrëshe dhe e larmishme në vend: prejardhja e tij nga një familje borgjeze, tradicionale dhe e pasur (...) ende korrespondon, në një pjesë të madhe të vendit, me vizionin social ideal të përbashkët nga agnostikët, të krishterët dhe myslimanët," shkruan “Di Cajt”.

“Turizmi Social"

Ai nuk mendon se duhet të ketë një numër të barabartë burrash dhe grash në qeverinë e tij dhe në politikën e migracionit ai hedh poshtë trashëgiminë e Angela Merkel, e cila gjatë krizës së madhe të emigrantëve në vitin 2015 hapi dyert e Gjermanisë për qindra mijëra afganë dhe sirianë.

Ai mbron dëbimet sistematike të azilkërkuesve dhe kriminelëve të refuzuar dhe shkurtimet e ndihmës për migrantët. Edhe pse ai përjashton çdo aleancë qeveritare me AfD-në, Friedrih Merc nuk heziton të përdorë retorikë të ngjashme.

Pas një sulmi nga të rinjtë ndaj shërbimeve të urgjencës në fund të vitit 2022 në Berlin, Merc i përshkroi sulmuesit si "barinj të vegjël" nga "zona arabe" që "në fakt nuk kanë çfarë të bëjnë në Gjermani".

Refugjatët ukrainas që ikën nga pushtimi rus, për Mercin janë duke praktikuar "turizëm social", qëllimi i vetëm i të cilëve është të përfitojnë nga shërbimet gjermane, por më vonë ai kërkoi falje për këtë.

 Një përkrahës i flaktë i ndihmës ushtarake për Ukrainën

Friedrih Merc është ende një nga mbështetësit më të zjarrtë të ndihmës ushtarake gjermane për Kievin.

Në aspektin ekonomik, mban një pozicion liberal, pranë partisë FDP, me të cilën ndan angazhimin e tij për “frenimin e borxhit” të diskutueshëm, një mekanizëm që kufizon borxhet e reja, por edhe kapacitetet investuese të vendit.

Merc ishte anëtar i Parlamentit Evropian nga viti 1989 deri në vitin 1994 dhe paraqitet si një mbrojtës i bindur evropian dhe i flaktë i lokomotivës franko-gjermane.

 

QËNDRONI TË LIDHUR