• e diel, 22 dhjetor 2024

Fakte - Një vit nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit

Fakte - Një vit nga fillimi i konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit

Gazë, 7 tetor 2024 (MIA) - Në ditën e sotme të vitit të kaluar filloi konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, më vdekjeprurësi në historinë e konfliktit izraelito-palestinez. Pasi Hamasi filloi sulmin e papritur terrorist në Izrael më 7 tetor 2023, ndërsa Izraeli u përgjigj duke shpallur luftë, mijëra vetë janë vrarë ose plagosur deri më sot. Izraeli pohon se qëllimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin dhe se po përpiqet të minimizojë viktimat civile. Ndërkohë, në Gazë është shfaqur krizë humanitare, duke përfshirë edhe kolapsin e sistemit shëndetësor. Rripi ka mungesë të ushqimi, ujit të pastër dhe ilaçe dhe uria po përhapet në gjithë Gazën, thonë nga Kombet e Bashkuara.

Të vrarë dhe të lënduar

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Izraelit, në këtë shtet janë vrarë rreth 1.200 njerëz, duke përfshirë rreth 800 civilë, 346 ushtarë të Forcave izraelite të mbrojtjes (IDF) dhe 66 policë.

Shumica janë vrarë gjatë një sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Përveç kësaj, rreth 8.700 persona janë lënduar, bëjnë të ditur zyrtarët izraelitë.

Por në Gazë situata është më e tmerrshme nga se pretendon Izraeli, pasi më shumë se 41.000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 96.700 njerëz janë lënduar që nga 3 tetori, gjithnjë sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës të udhëhequr nga Hamasi.

Sipas KB-së, druhet se të paktën 10.000 njerëz kanë mbetur nën rrënojat në Gazë, që do të thotë se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Kolaps në sistemin e kujdesit shëndetësor

Para luftës, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në Gazë funksiononin 36 spitale.

Që nga 30 gushti, 19 spitale kanë pushuar së funksionuari, ndërsa 17 të tjera pjesërisht janë funksionale, thotë OBSH. Për momentin nuk ka spitale plotësisht funksionale, sipas agjencisë globale të shëndetit.

Agjencitë humanitare thanë se stafi i tyre mjekësor është sulmuar disa herë, duke i detyruar të evakuojnë objektet, duke bërë që civilët të humbin qasjen në kujdesin mjekësor që shpëton jetë.

"Ekipet tona kanë qenë të detyruara të kryejnë operacione pa anestezion, të dëshmojnë se fëmijët vdesin në dyshemetë e spitalit për shkak të mungesës së resurseve, madje edhe të trajtojnë kolegët dhe anëtarët e familjes së tyre", ka thënë dr. Amber Alajajan, menaxher i programit mjekësor për "Mjekët pa kufij" në komunikatën gjatë këtij muaji.

“Ndërkohë, sistemi shëndetësor në Gazë është çmontuar sistematikisht nga forcat izraelite”.

Izraeli pretendon se Hamasi përdor spitalet për të "kryer dhe promovuar" aktivitete terroriste. Hamasi ka mohuar pretendimet se operon nga spitalet.

Ndihma në Gazë

Që nga fillimi i luftës, më shumë se një milion ton ndihmë kanë hyrë në Gazë, 70% e të cilave ushqime, bëri të ditur Departamenti civil për koordinimin e aktiviteteve të qeverisë së Izraelit në një postim në platformën sociale X më 30 shtator.

Më 2 tetor, Filip Lazarini, Komisari i përgjithshëm për Agjencinë për ndihmë dhe punë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë në Lindjen e Mesme, tha se më shumë se 100.000 tonë furnizime ushqimore kanë qenë të bllokuar jashtë Gazës për shkak të kufizimeve të hyrjes si dhe për shkak të shkeljes së ligjit dhe rendit.

Ekspertët e KB-së thonë se uria është përhapur në të gjithë Rripin e Gazës, por Izraeli mohon pretendimet se ka uri në Gazë.

Gjatë një brifingu me gazetarë muajin e kaluar, Stefan Duzharik, zëdhënës i Sekretarit të përgjithshëm të KB-së, tha se gati 90 për qind e "lëvizjeve të koordinuara për përgjigje humanitare midis pjesës veriore dhe jugore të Gazës deri më tani në shtator janë kundërshtuar ose penguar".

Pengjet izraelite

Kur Hamasi filloi sulmin e tij, militantët rrëmbyen rreth 250 pengje - duke përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar duke i çuar në Gazë.

Që nga 3 tetori, 112 pengje dolën të gjallë nga Gaza, të shkëmbyer me të burgosur të mbajtur në Izrael, kumtuan zyrtarët izraelitë. Lirimi më i madh i pengjeve erdhi më 24 nëntor 2023, gjatë një pauze në luftime.
Rreth 97 pengje mbeten në Gazë, duke përfshirë trupat e të paktën 33 personave që besohet se nuk janë më të gjallë, sipas autoriteteve izraelite.

IDF deri më tani ka gjetur eshtrat e 37 pengjeve në Gazë, ndërsa sipas zbulimit më të fundit edhe të gjashtë trupave në Rafah në fillim të shtatorit.

Foto EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR