• e premte, 05 dhjetor 2025

"Fajzer" dhe Trampi arritën marrëveshje për uljen e çmimeve të ilaçeve

Uashington, 1 tetor 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë njoftoi se kompania farmaceutike “Fajzer” do t’i ulë çmimet e të gjitha ilaçeve me receta për amerikanët me të ardhura të ulëta të cilat janë pjesë e programit “Medikejd”. 

Si pjesë e marrëveshjes, kompania do të shesë ilaçe të reja me çmime shumë të volitshme siç vlejnë në vendet e tjera të zhvilluara, në këmbim të përjashtimit nga shpenzimet e reja për import. Trampi paralajmëroi se pret që edhe prodhuesit e tjerë të ilaçeve ta ndjekin shembullin. 

Pacientët amerikanë paguajnë tri herë më shumë për ilaçe me recetë se sa në vendet e tjera të zhvilluara. Trampi një kohë të gjatë bën presion ndaj kompanive farmaceutike që t’i harmonizojnë çmimet me standardet ndërkombëtare. 

Ilaçet e “Fajzer” do të jenë në dispozicion përmes platformës së re në internet të Shtëpisë së Bardhë „TrumpRx“, e cila do të fillojë të funksionojë në vitin 2026. “Me këtë përfundon koha kur SHBA-ja e subvencionoi mbrojtjen shëndetësore në pjesën tjetër të botës”, deklaroi Trampi në ngjarjen në Sallën Ovale, bashkë me drejtorin e “Fajzer” Albert Burla dhe ministrin e shëndetësisë Robert F. Kenedi Xhunior. 

Më 25 shtator Trampi paralajmëroi vendosje 100 për qind të doganës për import të brendeve ose produkteve të patentuara farmaceutike, përveç për kompanitë që do të ndërtojnë fabrika në SHBA. 

“Fajzer” është kompania e parë e cila arriti marrëveshje me administratën. Në korrik, Trampi u dërgoi letër 17 kompanive më të mëdha farmaceutike me kërkesë që të dorëzojnë plane për uljen e çmimeve deri më 29 shtator. “Fajzer”, e cila prodhon në SHBA dhe jashtë vendit, paralajmëroi investim prej 70 miliardë dollarë në hulumtim, zhvillim dhe prodhimtari vendore, për çka mori përjashtim trevjeçar nga doganat. fc/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR