• e hënë, 23 dhjetor 2024

"Fajnenshëll Tajms": SHBA-ja kërkon nga Irani të ndalojë shitjen e dronëve luftarak për Rusinë

Uashington, 16 gusht 2023 (MIA) -  Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Iranit që të ndalojë shitjen e dronëve ushtarakë Rusisë si pjesë e bisedimeve për një marrëveshje më të gjerë midis Uashingtonit dhe Teheranit për të ulur tensionet, raporton gazeta britanike "Fajnenshëll Tajms", duke cituar burime të mirëinformuara.

Uashingtoni po kërkon që Irani të ndalojë shitjen e dronëve luftarakë që Moska po përdor në luftën në Ukrainë, si dhe pjesë këmbimi për dronët e dëmtuar, shkruan gazeta, duke cituar një zyrtar iranian dhe një burim tjetër të njohur me këtë çështje.

Gazeta tregoi se Shtëpia e Bardhë dhe Ministria e Jashtme e Iranit nuk iu përgjigjën kërkesës së tyre për koment mbi rastin.

Lajmi vjen derisa Uashingtoni dhe Teherani kërkojnë të lehtësojnë tensionet dhe të rifillojnë bisedimet më të gjera mbi programin bërthamor të Iranit. Sekretari amerikan i Shtetit Entoni Blinken tha dje se ai do të mirëpriste çdo hap të ndërmarrë nga Republika Islamike për të de-përshkallëzuar "kërcënimin bërthamor në rritje".

Këto diskutime po zhvillohen paralelisht me negociatat e javës së kaluar për një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve, shkruan gazeta.

Javën e kaluar, burime i thanë mediave britanike se Irani kishte transferuar pesë shtetas amerikanë të akuzuar për spiunim nga burgu në arrest shtëpiak, si pjesë e një marrëveshjeje për të shkrirë gjashtë miliardë dollarë në fondet iraniane në Korenë e Jugut. Uashingtoni ka bllokuar fondet e fituara nga shitja e hidrokarbureve nën sanksionet e SHBA-së.

Irani ka lejuar që katër shtetas të arrestuar amerikanë të lirohen nga burgu Evin i Teheranit dhe të vendosen në arrest shtëpiak, me një të pestë të transferuar më parë në arrest shtëpiak. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR