Fabrikat ruse për dronë u goditen nga dronë ukrainas
- Dy fabrika të dronëve në afërsi të Moskës janë goditur nga një sulm i madh me dronë ukrainas, njoftuan sot mediat lokale, njofton DPA.
- Post By Fami Bajrami
- 10:59, 28 maj, 2025
Moskë, 28 maj 2025 (MIA) - Dy fabrika të dronëve në afërsi të Moskës janë goditur nga një sulm i madh me dronë ukrainas, njoftuan sot mediat lokale, njofton DPA.
Kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobjanin, deklaroi se një nga objektivat ishte në qytetin Zelenograd, në veriperëndim të kryeqytetit.
Deri tani nuk ka raportime për viktima apo dëme serioze, njoftoi ai në Telegram.
Kanalet ruse në Telegram njoftuan se një fabrikë për dronë u godit edhe në qytetin Dubna, rreth 80 kilometra në veri të Moskës.
Sipas DPA-së, Ministria ruse e Mbrojtjes kumtoi se gjatë natës, 296 dronë ukrainas u shkatërruan mbi territorin rus.
Numrat nuk mund të konfirmohen nga burimet e pavarura.
Fluturimet në disa aeroporte në Moskë dhe në qytete tjera u pezulluan përkohësisht për shkak të sulmeve me dronë.
Ndërkohë, në Ukrainë, tetë persona u plagosën në afërsi të qytetit Harkov gjatë sulmeve ruse natën me dron, kumtuan autoritetet rajonale.
Sipas Forcave ajrore të Ukrainës, forcat ruse gjithashtu lansuan pesë raketa balistike Iskander-M, por pasojat tani për tani janë të paqarta. rq/bsh/
Foto: X skrinshot