Evropa shqyrton idenë për një zonë tampon në territorin ukrainas
- Evropa po shqyrton mbështetje për vendosjen e zonës tampon të gjerë 40 kilometra në territorin ukrainas si pjesë e përpjekjeve për përfundimin e luftës, publikoi Politiko, duke i'u referuar pesë diplomatëve evropian anonim.
- Post By Sara Ademi
- 09:52, 29 gusht, 2025
29 gusht 2025
Politiko
Evropa po shqyrton mbështetje për vendosjen e zonës tampon të gjerë 40 kilometra në territorin ukrainas si pjesë e përpjekjeve për përfundimin e luftës, publikoi Politiko, duke i'u referuar pesë diplomatëve evropian anonim.
Sipas diplomatëve, liderët evropian po e shqyrtojnë këtë ide si një nga opsionet për armëpushim ose si pjesë e marrëveshjes pas luftës mes forcave ukrainase dhe ruse. Sipas burimeve, Uashingtoni aktualisht nuk merr pjesë në këto diskutime.
Gara diplomatike me kohën
Bisedat për zonën tampon udhëhiqen në kohën kur presidenti amerikan Donald Tramp intensifikoi përpjekjet për arritjen e marrëveshjes paqësore. Më 15 gusht, Trampi u takua me presiderin rus Vladimir Putin në Alaskë, ndërsa disa ditë më vonë në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski dhe liderët evropian.
"Të gjithë bëjnë përpjekje të veprojnë sa më shpejtë të jetë e mundur për çështjen e garancive të sigurisë në mënyrë që Trampi të mos ndryshojë mendje", tha njëri nga përfaqësuesit evropian. Sipas diplomatëve, propozimi me siguri do të ishte i lidhur me lëshimet territoriale nga ana e Ukrainës, por aktualisht është e paqartë nëse Kievi është i hapur për një plan të tillë.
Dyshimet dhe shqetësimet e aleatëve
Disa vende evropiane shprehën frikë se zona tampon mund të bëjë më shumë dëm se sa dobi dhe t'i ekspozojë qytetet ukrainase në një rrezik ende më të madh nga sulmet ruse. "Nuk është shumë e arsyeshme kundër një kundërshtari i cili nuk negocion me vullnet të mirë", tha njëri nga diplomatët e paidentifikuar.
Njëkohësisht, anëtarët e krahut lindor të NATO-s, duke përfshirë edhe Poloninë, janë të brengosur se dërgimi i një numri të madh të ushtarëve në Ukrainë mund ta dobësojë praninë e Aleancës në lindje dhe t'i lërë ata të prekshëm ndaj një sulmi potencial rus.
Roli i forcave paqësore
Pritet që ushtarët francez dhe britanik ta formojnë "shtyllën kurrizore të forcave paqësore, ndërsa Parisi dhe Londra inkurajojnë aleatët tjerë të sigurojnë pajisje ushtarake. Vlerësohet se mes 4.000 dhe 60.000 paqësorë mund të sistemohen në Ukrainë për ta ndjekur zbatimin e marrëveshjes paqësore. Detyra e tyre nuk do të ishte vetëm të patrullojnë nëpër zonën e demilitarizuar, por edhe të stërvitin ushtarë ukrainas.
Edhe pse SHBA deklaroi se nuk do t'i dërgojë trupat e tij paqësor, shprehu gatishmëri të sigurojë mbështetje teknike. "Të gjithë presin që liderët e politikës të Ministrisë së Mbrojtjes të shprehin se sa larg janë të gatshëm të shkojnë dhe t'i lënë evropianët t'i tregojnë kartat e tyre", shtoi një zyrtar evropian.
Rusia sulmon pavarësisht negociatave
Derisa përpjekjet diplomatike vazhdojnë, shefi i kabinetit të presidentit Andrij Jermak dhe sekretari i Këshillit të Mbrojtjes Rustem Umerov këtë javë do të udhëtojnë në Nju-Jork për të diskutuar garancitë e sigurisë. Dhe përveç kësaj, Rusia nuk tregon gatishmëri për bashkëpunim.
Kremlini vazhdimisht vë në pikëpyetjen legjitimitetin e Zelenskit, ndërsa ministri rus i punëve të jashtme Sergej Lavrov më 24 gusht deklaroi se Moska nuk do ta pranojë nënshkrimin e Zelenskit në kurrfarë dokumente ligjore. Si vërtetim tragjik për qëndrimin e Rusisë, të paktën 23 persona u vranë, duke përfshirë katër fëmijë, ndërsa 63 u lënduan në një sulm masiv me raketë ndaj Kievit të mërkurën në mbrëmje. sa/