Evropa përfshihet nga i nxehti ekstrem: Dy të vdekur në Itali, zjarre në të gjithë kontinentin
- Evropa është përfshirë nga një valë e fortë e të nxehtit, që mori dy jetë në Itali. Në Bolonja, një punëtor 47 vjeçar vdiq pasi iu përkeqësua gjendja në kantierin e ndërtimit, ndërsa një burrë 70-të vjeçar u mbyt në përmbytjen e menjëhershme në afërsi të Torinos.
- Post By Sara Ademi
- 12:43, 1 korrik, 2025
Romë, 1 korrik 2025 (MIA) - Evropa është përfshirë nga një valë e fortë e të nxehtit, që mori dy jetë në Itali. Në Bolonja, një punëtor 47 vjeçar vdiq pasi iu përkeqësua gjendja në kantierin e ndërtimit, ndërsa një burrë 70-të vjeçar u mbyt në përmbytjen e menjëhershme në afërsi të Torinos.
Zjarret pyjore në Turqi detyruan më shumë se 50.000 njerëz të evakuohen, ndërsa zjarret u përhapën edhe në provincat tjera siç janë Bilexhik, Manisa dhe Hataj.
Franca shënoi ditën e saj më të nxehtë të qershorit deri tani në disa qytete, ndërsa Parisi dhe 15 rajone tjera lëshuan paralajmërim të kuq të motit. Më shumë se 1.300 shkolla janë mbyllur.
Rekordet e temperaturave u thyen në Spanjë dhe Portugali - El Granada regjistroi 46 gradë Celsius, ndërsa Mora në Portugali regjistroi deri në 46.6 gradë Celsius. Në Itali, niveli më i lartë i paralajmërimit për nxehtësi është shpallur në 21 qytete dhe puna në ambient të hapur është e ndaluar gjatë orëve më të nxehta të ditës në rajone të tilla si Lombardia, raporton Bi-Bi-Si.
Në Greqi, zjarri përfshiu qytetet bregdetare në afërsi të Athinës, ndërsa njerëzit janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Në Gjermani, pritet që temperaturat të arrijnë 38 gradë Celsius, ndërsa në Britani të Madhe, Vimbldon regjistroi ditën e parë më të nxehtë të turneut me 32,9 gradë Celsius.
KB paralajmëron që i nxehti ekstrem do të bëhet më i shpeshtë dhe më i rrezikshëm për shkak të ndryshimeve klimatike.
"Ky është një kërcënim serioz për shëndetin, mjedisin jetësor dhe të drejtat themelore të njeriut", tha komisari i lartë i KB-së për të drejtat e njeriut, Folker Turk. sa/
foto: EPA