• e diel, 22 dhjetor 2024

Europol: Zbulohet një bankë “nëntokësore” përmes së cilës një bandë droge ka larë 180 milionë euro

Europol: Zbulohet një bankë “nëntokësore” përmes së cilës një bandë droge ka larë 180 milionë euro

Bruksel, 14 prill 2023 (MIA) - Europol kumtoi se në një operacion të përbashkët me policinë belge dhe spanjolle, është zbuluar një sistem kompleks dhe profesional i larjes së parave përmes porteve detare dhe ajrore në BE. Nëpërmjet bankës “nëntokësore” kriminelët kanë arritur të lajnë 180 milionë euro të marra nga tregtia e paligjshme e kokainës.

Grupi kriminal përbëhej nga shtetas marokenë, spanjollë dhe belgë, ndërsa ishin aktiv në Belgjikë, Holandë, Spanjë, Amerikën e Jugut dhe Dubai.

Në aksionin e kryer në muajin mars, pesë persona u arrestuan në Belgjikë, një në Spanjë, u sekuestruan 1.2 milionë euro kriptovaluta, u konfiskuan tre prona, si dhe 50 mijë euro para të gatshme, një makinë luksoze, 23 celularë dhe bizhuteri.

Hetimi filloi në tetor 2021, pas analizës së mesazheve të deshifruara, ndaj një grupi të madh që kontrabandonte sasi të mëdha kokaine nga porte të ndryshme të Amerikës së Jugut në disa porte detare dhe ajrore në Evropë.

"Grupi kriminal arriti të importonte disa ton kokainë dhe ta shiste për një fitim të madh. Duke përdorur një qasje profesionale dhe fleksibël, duke përfshirë metoda të tilla si përdorimi i kompanive sekrete, kriminelët arritën t'u shmangeshin autoriteteve për muaj të tërë", theksohet në kumtesën e Europolit. ls/

Foto: MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR