• e premte, 05 dhjetor 2025

Eurodeputetët e hodhën poshtë nismën për mosbesim të Komisionit Evropian

Eurodeputetët e hodhën poshtë nismën për mosbesim të Komisionit Evropian

Strasburg, 10 korrik 2025 (MIA) – Parlamenti Evropian në vazhdimin e sotëm të sesionit të kësaj jave në Strasburg me shumicë të madhe e refuzoi propozimin e eurodeputetit rumun George Piperea për votimin e mosbesimit në Komisionin Evropian të Ursula fon der Lajenit. 

“Për” pranimin e nismës votuan 175 eurodeputetë, 360 ishin “kundër”, ndërsa 18 abstenuan nga votimi. 

Që të pranohet nisma duhej të mbështetej nga të paktën dy e treta e eurodeputetëve që morën pjesë në votim, me çka numri i tyre duhej të ishte më i madh se gjysma e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të Parlamentit Evropian. 

Debati për nismën u mbajt të hënën, me çka Piperea e akuzoi Komisionin Evropian për mungesë të transparencës, mosrespektim të drejtësisë, shmangie të debateve dhe për anashkalim të vendimeve të Parlamentit Evropian. 

"Gjatë gjashtë viteve të fundit, Komisioni ka hequr në mënyrë keqpërdoruese kompetencat nga shtetet anëtare dhe ka injoruar Parlamentin Evropian në vendimet e tij të mëdha. Përqendrimi jodemokratik i pushtetit në duart e kryetares së Komisionit Evropian është në kundërshtim me parimet e kontrollit dhe balancimit. Procesi i vendimmarrjes është bërë jo transparent dhe diskret, gjë që ngjall frikën e keqpërdorimeve dhe korrupsionit", deklaroi Pipera.

Sipas tij, politikat e Komisionit Evropian rezultuan me dështimin e kompanive të vogla, rreziqe për sovranitetin e shteteve dhe me fragmentimin e tregut të përbashkët, duke i rritur dallimet ndërmjet vendeve anëtare të BE-së, ndërsa varfëria dhe regresi në arsim u bënë normalitet. 

Përndryshe, Fon der Lajen nuk mori pjesë në votimin e sotëm, sepse merr pjesë në Konferencën për mbështetje të Ukrainës në Romë. 

Fon der Lajen udhëtoi dje për Romë, pasi arriti marrëveshje me liderët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (SD) për ndarjen e rreth 150 miliardë eurove në Kornizën e ardhshme shumëvjeçare të buxhetit të BE-së, të dedikuara për përsosje profesionale të punëtorëve dhe për masa për gjithëpërfshirje sociale. 

Arritja e marrëveshjes ishte e rëndësishme për Fon der Lajen, sepse SD u kërcënua se nëse nuk pranohen këto kërkesa, deputetët e saj do të përmbahen nga votimi gjatë prononcimit për nismën e Piperea. 

Edhe pse abstenimi i socialdemokratëve nga votimi nuk do të kishte çuar në pranimin e nismës, kjo do të kishte treguar mbështetje të dobët për Komisionin Evropian nga partitë e qendrës dhe një rënie të ndikimit të Fon der Lajen në Parlamentin Evropian. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR