• e hënë, 23 dhjetor 2024

Eurobarometri: Niveli i besimit në BE është duke u rritur në vendet-kandidate për anëtarësim

Eurobarometri: Niveli i besimit në BE është duke u rritur në vendet-kandidate për anëtarësim

Bruksel, 10 korrik 2023 (MIA) - Niveli i besimit në BE është rritur në vendet kandidate për anëtarësim në BE në krahasim me atë të para gjashtë muajve, tregojnë rezultatet më të reja të hulumtimit të Eurobarometrit të publikuara sot, sipas të cilave, besimi ndaj bllokut në vend është rritur për një pikë përqindje dhe tani është 48 për qind.

Nga vendet e tjera kandidate për anëtarësim, rritje më të madhe e besimit shënohet në Turqi prej 12 pikë përqindje në 41 për qind, ndërsa pas saj pasojnë Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi me rritje prej shtatë pikë përqindje në 57, gjegjësisht 54 për qind. Në Shqipëri kjo rritje është gjashtë pikë përqindje në 77 për qind, ndërsa në Moldavi dhe Serbi nga dy pikë përqindje në 44, gjegjësisht 32 për qind.

Sa i përket qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, siç njoftoi raportuesi i posaçëm i MIA-s nga Brukseli, 47 për qind e tyre kanë besim në BE, 45 për qind kanë pasqyrë pozitive për bllokun, ndërsa 63 për qind janë optimistë për të ardhmen e BE-së.

Sipas anketës, të zbatuar gjatë qershorit 2023, shtetasit evropianë edhe më tej me shumicë të madhe e mbështesin tranzicionin energjetik të BE-së dhe presin vëllim më të madh të investimeve në burimet e rinovueshme të energjisë, i miratojnë masat që i ndërmerr BE-ja për mbështetjen e Ukrainës dhe të popullit ukrainas, ndërsa zotohen edhe për bashkëpunim të përforcuar në mbrojtje në kuadër të BE-së dhe për rritjen e ndarjeve për nevojat në mbrojtje.

Nga ana tjetër, shqetësim më të madh tek evropianë shkaktojnë gjendjet në ekonomi, edhe pse shumica e tyre presin përmirësim të situatës ekonomike. Në këtë kontekst shumica e banorëve të BE-së e mbështesin Planin për ripërtëritjen e BE-së në vlerë prej 800 miliardë euro dhe presin ai të japë përgjigje efikase ndaj sfidave aktuale ekonomike.

Sipas hulumtimit, 85 për qind e të anketuarve vlerësojnë se janë të nevojshme investime më të mëdha në burimet e rinovueshme të energjisë, siç janë era dhe energjia diellore, ndërsa 82 për qind besojnë se rritja e efikasitetit energjetik në ndërtesa, transport dhe mallra do ta bëjë BE-në më pak të varur nga prodhuesit e energjisë jashtë BE-së. Përveç kësaj, 80 për qind vlerësojnë se vendet anëtare të BE-së duhet bashkërisht të blejnë energjensa nga vendet e tjera për të fituar çmim më të volitshëm.

Madje 81 për qind e të anketuarve pajtohen se ulja e importit të naftës dhe gazit dhe investimi në energjinë e rinovueshme është e rëndësishme për sigurinë e përgjithshme të BE-së, ndërsa 82 për qind vlerësojnë se BE-ja duhet sa më parë ta ul varësinë e saj nga energjensat ruse.

Sa i përket luftës në Ukrainë, 88 për qind e qytetarëve të BE-së e mbështesin ofrimin e mbështetjes humanitare për personat e goditur nga konflikti, 86 për qind janë për pranimin e atyre që arratisen nga përplasja ushtarake. 75 për qind e miratojnë mbështetjen financiare për vendin, ndërsa 72 për qind i mbështesoin sanksionet ekonomike ndaj Qeverisë ruse, kompanive dhe individëve.

Përveç kësaj, 66 për qind pajtohen me ndalesën e mediave shtetërore ruse, si Sputnik dhe Rasha Tudej, të transmetojnë program në BE, 64 për qind e mbështesin dërgimin e pajisjeve ushtarake për në Ukrainë , ndërsa po kjo përqindje pajtohet që vendit t'i ndahet statusi i kandidatit si anëtare potenciale e BE-së.

Në tërësi, 56 për qind e të anketuarve janë të kënaqur nga përgjigja e BE-së ndaj invazionit rus në Ukrainë, ndërsa 54 për qind janë të kënaqur nga përgjigja e Qeverisë së tyre nacionale.

Madje 77 për qind e evropianëve janë të qëndrimit se BE-ja duhet të ndërtojë partneritete me vendet e tjera për të investuar në infrastrukturën e qëndrueshme dhe t'i lidhë njerëzit dhe shtetet në mbarë botën, ndërsa 69 për qind besojnë se BE-ja ka fuqi të mjaftueshme dhe vegla për t'i mbrojtur interesat ekonomike të Evropës në ekonominë globale.

Mbështetja për valutën e vetme evropiane në Eurozonë është 78 për qind, ndërsa në nivel të të gjithë BE-së është 71 për qind.

Anketa është zbatuar në periudhë nga 31 maji deri më 21 qershor sipas parimit "intervista ballë përballë" në 27-të vendet anëtare të BE-së, me ç'rast janë anketuar 26.425 qytetarë. Disa pyetje u janë parashtruar edhe shtetasve të 12 shteteve apo territoreve të tjera.

QËNDRONI TË LIDHUR