• e hënë, 23 dhjetor 2024

Eskobar për REL: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

Eskobar për REL: Nuk jemi të fokusuar te nënshkrimi, por te finalizimi i marrëveshjes

Beograd, 18 mars 2023 (MIA)- I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, ka thënë se janë të fokusuar në finalizim të marrëveshjes Kosovës – Serbi e jo në nënshkrime.

Eskobar është në Ohër ku po merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit në takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“Pritja jonë më e madhe sot është për finalizimin e aneksit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike. Prandaj, nga perspektiva jonë, kjo është vërtet historike. Kjo është, vërtet, një mundësi për t’i lënë shumë mbrapa ngjarjet e viteve ’90, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi”, ka thënë Eskobari në intervistën për “Radio Evropën e Lirë”.

Eskobar është takuar me Kurtin më herët sot, ndërsa pritet të takohet edhe me Vuçiqin.

I pyetur pse është e rëndësishme të arrihet marrëveshja Kosovë – Serbi në mars, ai ka thënë se ka disa arsye.

“E para, ne duhet ta pranojmë që jemi duke funksionuar nën hijen e një prej rreziqeve më të mëdha për sigurinë e kontinentit evropian që prej Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, në mënyrë që Evropa të jetë e gatshme të përballet me sfidat e sigurisë, duhet t’i zgjidhë të gjitha sfidat e sigurisë që ekzistojnë brenda kontinentit evropian. Dhe, kjo është ndër të fundit. Neve na duhet ta konsolidojmë, jo vetëm paqen, por ta konsolidojmë edhe projektin e zgjerimit të Bashkimit Evropian për gjithë kontinentin evropian. Kjo e hap derën për atë gjë. Prandaj, tani është mundësia më e mirë që e kemi për ta arritur atë gjë, përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet disa vendeve që ende nuk kanë bërë përparim të mjaftueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë Eskobari.

 

QËNDRONI TË LIDHUR