• e hënë, 23 dhjetor 2024

Eskobar: Nuk shikoj kurrfarë anshmërie tek Lajçaku

Eskobar: Nuk shikoj kurrfarë anshmërie tek Lajçaku

Prishtinë, 22 shtator 2023 (MIA) - I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë deklaroi se është i shqetësuar me mesazhet që vijnë nga Prishtina, në të cilat kritikohet komisari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Eskobari tha se nuk sheh “asnjë dëshmi të njëanshmërisë” te ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

“Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë në këtë”, tha ai.

I pyetur se çfarë sheh si një rrugëdalje nga ngërçi në të cilin ndodhet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Eskobar u përgjigj se aktualisht nuk ka alternativë për dialogun, se është e rëndësishme që të dyja palët të vazhdojnë t'i përmbahen dialogut dhe i bëri thirrje Prishtinës që të jetë më konstruktive.

Duke folur për masat që ka marrë Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, ai tha se këto janë pasoja.

"Nuk do të thoja masa, do të thoja pasoja. Dhe unë do t'ju them se pasojat me të cilat po përballet Kosova janë se nëse refuzojnë të bashkëpunojnë me BE-në, BE-ja nuk do të përfshihet në ndihmë shtesë dhe masa shtesë integruese", tha Eskobar.

Ai shprehu shpresën se, të paktën në aspektin dypalësh, SHBA-ja mund të punojnë me Prishtinën për të gjetur një mënyrë për të hequr këto masa në vitin 2024.

Pyetjes se a ka afat për këtë, Eskobar është përgjigjur negativisht dhe ka theksuar se këto masa janë për një periudhë të pacaktuar derisa të arrihet përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe planin për deeskalim.

Pas rundit të fundit të pasuksesshëm të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, Bashkimi Evropian e mbajti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si përgjegjës për faktin se nuk ka pasur progres në dialog.

Kurti më pas deklaroi se përfaqësuesi special i BE-së “u pozicionua kundër Kosovës”. Eskobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët "të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së". mb/

Foto

QËNDRONI TË LIDHUR