• e diel, 22 dhjetor 2024

Erdogan: Përdorimi i të gjitha llojeve të metodave të turpshme nuk është luftë, por masakër

Erdogan: Përdorimi i të gjitha llojeve të metodave të turpshme nuk është luftë, por masakër

Ankara, 11 tetor 2023 (MIA) - Presidenti turk Rexhep Taip Erdohan, deklaroi se "sulmet joproporcionale dhe të paskrupullta ndaj Gazës mund të shkaktojnë dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të Izraelit", informon agjencia Anadollia. 

"Sulmet jo-proporcionale dhe të paskrupullta ndaj Gazës mund ta sjellin Izraelin në një pozitë të papritur dhe të padëshiruar në sytë e opinionit publik botëror”, tha presidenti Erdogan në takimin e grupit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Ankara.

"Bombardimi i vendbanimeve civile, vrasja e qëllimshme e civilëve, bllokimi i automjeteve që sjellin ndihma humanitare në rajon dhe përpjekja për t'i paraqitur të gjitha këto si aftësi, mund të jetë vetëm një refleks i një organizate (terroriste), jo i një shteti", tha ai, duke shtuar: "Izraeli nuk duhet të harrojë se nëse vepron si një organizatë, jo si një shtet, ai përfundimisht do të shihet si një e tillë".

Në lidhje me konfliktin e fundit izraelito-palestinez që shpërtheu në fund të javës së kaluar, Erdogan tha se "Turqia nuk arsyeton asnjë veprim kundër civilëve apo ndonjë sulm që synon vendbanimet civile".

"Një konflikt i kryer me të gjitha llojet e metodave të turpshme nuk është luftë, por masakër", nënvizoi Erdogan.

Presidenti Erdogan tha se gjithkush duhet të qëndrojë larg vendimeve impulsive që synojnë të ndëshkojnë popullin palestinez, siç është ndërprerja e ndihmës humanitare.

"Turqia është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet, duke përfshirë ndërmjetësim dhe gjykim të drejtë, për të nxjerrë rajonin nga kjo vorbull", duke shtuar se Ankaraja asnjëherë nuk pranon "masakrën pa bërë dallim" të të pafajshmëve në Gaza. fc/

Fotografia: Anadollia

QËNDRONI TË LIDHUR