• e diel, 22 dhjetor 2024

Erdogan në "Samitin e tretë të Platformës së Krimesë", konfirmoi se Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë

Erdogan në

Kiev, 23 gusht 2023 (MIA) - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan sot konfirmoi se Turqia nuk e njeh aneksimin e Krimesë.

"Ne, gjithashtu, mbrojmë pozicionin në favor të integritetit dhe sovranitetit territorial të Ukrainës", tha Erdogan në video mesazhin me rastin e Samitit të tretë të liderëve në Platformën e Krimesë.

Erdogan në fillim të fjalimit të tij i përshëndeti presidentin e Ukrainës Volodimir Zelenski, shefat tjerë të shteteve dhe qeverive, liderin kombëtar të tatarëve të Krimesë, Mustafa Kirimoglu dhe pjesëmarrësit tjerë në samit, shkruan Anadolia.

Presidenti turk ka uruar Ukrainën për Ditën e Flamurit dhe Ditën e pavarësisë.

"Turqia, e cila nuk e pranon aneksimin e Krimesë, nga dita e parë me vendosmëri e përfaqëson pozitën se aksioni i tillë është ilegal. Në çdo platformë, veçanërisht në Kombet e Bashkuara, theksojmë se Krimea është pjesë e Ukrainës. Garantimi i sigurisë dhe mirëqenies së tatarëve të Krimesë, është një nga prioritetet tona", tha Erdogan.

Ai shtoi se nuk ka fitues në luftë, ndërsa nuk ka humbës në paqe dhe bëri thirrje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë me një "paqe të drejtë dhe të qëndrueshme".

"Në këtë proces ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të mbajtur të hapura kanalet e komunikimit, në mënyrë që gjakderdhja të ndalet dhe palët të paktën të përgatiten për tryezën e bisedimeve", tha Erdogan.

Ai gjithashtu theksoi se përpjekjet për ringjalljen e nismës së Detit të Zi po vazhdojnë, duke shtuar se në këtë proces duhet të shmanget çdo hap që do të rriste tensionet dhe do të dëmtonte paqen në Detin e Zi.

Në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, po mbahet sot Samiti i Tretë i Platformës së Krimesë, i cili po zhvillohet në një format hibrid. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR