Erdogan: Me Trampin arritëm mirëkuptim të ndërsjellë për armëpushim në Gazë
- Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se ai dhe presidenti amerikan Donald Tramp, kanë arritur "mirëkuptim të përbashkët" se si të vendoset armëpushim në Gazë dhe të arrijnë paqe të qëndrueshme në territoret palestineze.
- Post By Fami Bajrami
- 21:18, 26 shtator, 2025
Ankara, 26 shtator 2025 (MIA) - Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan deklaroi se ai dhe presidenti amerikan Donald Tramp, kanë arritur "mirëkuptim të përbashkët" se si të vendoset armëpushim në Gazë dhe të arrijnë paqe të qëndrueshme në territoret palestineze.
"Shpjeguam se si të arrihet një armëpushim në Gazë dhe pastaj paqe e qëndrueshme. Ekziston një mirëkuptim i përbashkët për këtë", deklaroi Erdogani pas takimit me Trampin në Shtëpinë e Bardhë.
Ai theksoi se zgjidhja me dy shtete mbetet formula e vetme për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar se situata aktuale është e paqëndrueshme.
"Z.Tramp është i vetëdijshëm se gjërat nuk mund të vazhdojnë kështu", shtoi Erdogani, raporton Anadollu.
Presidenti turk tha se kanë diskutuar gjithashtu edhe mbi krizën humanitare në Gazë dhe situatën në Siri, duke theksuar se organizatat terroriste nuk kanë vend për të ardhmen e atij vendi.
Erdogani i përshkroi bisedimet me Trampin si "të sinqerta, konstruktive dhe produktive" dhe vlerësoi mikpritjen e Shtëpisë së Bardhë. Ai gjithashtu theksoi ambicien e Turqisë dhe SHBA-së për të rritur tregtinë në 100 miliardë dollarë.
foto: arkivi