• e hënë, 23 dhjetor 2024

Emisari amerikan për rajonin, Kasanof takoi liderët e partive opozitare në Kosovë

Emisari amerikan për rajonin, Kasanof takoi liderët e partive opozitare në Kosovë

Prishtinë, 11 tetor (MIA) - Zëvendëssekretari i shtetit dhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof i cili nga dje qëndron në Kosovë, sot ka takuar liderët e opozitës së Kosovës, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në takimin me përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare parlamentare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kasanof ka folur për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me emisarin amerikan, ka thënë se Kosova duhet të koordinohet me aleatët.

“Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërëndim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, veçanërisht me SHBA-në. Kosova si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, ka shkruar Krasniqi në Fejsbuk.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka thënë zyrtarit amerikan se nëse LDK udhëheq qeverinë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, prioritet i saj do të jetë riparimi i marrëdhënieve me SHBA-në.

"Kryetari Abdixhiku e siguroi z.Kasanof se me formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, rregullimi i këtyre marrëdhënieve do të jetë një nga prioritetet më të larta”, ka shkruar LDK-ja në ueb faqen e saj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se rruga e vetme para për Kosovën është partneriteti me SHBA-në.

“Mbështetja e fuqishme e SHBA-së ndaj popullit të Kosovës vazhdon përkundër vështirësive të panevojshme të shkaktuara nga kjo qeveri (e Kosovës). E vetmja mënyrë për të arritur qëllimet tona si shtet është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-në, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm”, ka shkruar Haradinaj në Fejsbuk.

Gjatë ditës së djeshme, Kasanof është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Kasanof e filloi vizitën e tij të parë në rajon, pasi para tre muajsh mori detyrën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor nga Gabriel Eskobari, të hënën, kur vizitoi Sarajevën prej nga udhëtoi për në Beograd dhe më pas në Prishtinë.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR