Ekstremistë gjermanë kanë planifikuar ndërprerje të rrymës në vend dhe rrëmbimin e personaliteteve publike
- Post By Besnik Shuki
- 16:03, 15 prill, 2022
Berlin, 15 prill 2022 (MIA) – Autoritetet gjermane kumtuan se kanë arrestuar një grup të ekstremistëve të djathtë, të cilët kanë planifikuar të shkaktojnë ndërprerje të rrymës në tërë vendin, të krijojnë kushte të ngjashme me luftë qytetare dhe të rrëmbejnë personalitete publike, duke përfshirë edhe ministrin e Shëndetësisë, Karls Lauterbah.
Policia të mërkurën arrestoi katër persona gjatë bastisjeve të më shumë se 20 lokacioneve nëpër Gjermani, si pjesë të hetimit të filluar në tetor. Dymbëdhjetë persona janë nën hetim.
Janë arrestuar anëtarë të grupit “partiotë të bashkuar” në aplikacionin Telegram, të lidhur me lëvizjen kundër masave antikovid dhe me grupin ekstremist “Qytetarë të Rajhut”, anëtarët e të cilit nuk e pranojnë rendin kushtetues të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.
Anëtarët e grupit vazhdimisht kanë shprehur urrejtje ndaj shtetit gjerman, si dhe dëshirë që presidenti rus Vlladimir Putin ta sulmojë Gjermaninë, pas Ukrainës, kumtoi policia.
Kancelari gjerman Ollaf Sholc ka shprehur solidaritet me Lauterbah, duke shtuar se secili në Gjermani ka të drejtë të shpreh mendim, por se “të drejtat e lirisë kanë kufi, të cilat tejkalohen kur ekzisotn rrezik për dhunë”, shkruan Dojçe Vele.
“Do të luftojmë kundër armiqve të demokracisë sonë me të gjitha mjetet, t[ mundësuara nga shteti juridik”, potencoi Sholc. bsh/