Ekspertë nga vendi dhe jashtë në seancë përgatitore në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për gjuhët, do të diskutohet për gjashtë çështje kontestuese juridike
- Më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet seancë përgatitore për Ligjin për gjuhët, në të cilën do të marrin pjesë disa ekspertë, përfshirë përfaqësues nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Komisioni i Venecias dhe profesorë nga fakultetet juridike në vend.
- Post By Melahat Baftija
- 12:34, 14 mars, 2025

Shkup, 24 mars 2025 (MIA) - Më 20 mars në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të mbahet seancë përgatitore për Ligjin për gjuhët, në të cilën do të marrin pjesë disa ekspertë, përfshirë përfaqësues nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), Komisioni i Venecias dhe profesorë nga fakultetet juridike në vend.
Siç informoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në konferencën e sotme me gazetarët, në seancën përgatitore janë ftua Martin Kujer, nënkryetar i Komisionit të Venecias dhe gjykatës i gjykatës së lartë holandeze, i cili do të elaborojë këshillin miqësor që gjykata jonë kërkoi nga Komisioni i Venecias dhe Arturs Kuçs, gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut me ekspertizë për të drejtat e minoriteteve dhe përdorimin e gjuhëve të minoriteteve, i cili do ta shpjegojë praktikën e GJEDNJ-së në raste të ngjashme dhe do t'i pezantojë standardet evropiane për përdorimin e gjuhëve.
Nga ekspertët vendas në seancë do të marrin pjesë Margarita Caca Nikolovska, ish-gjyqtare në GJEDNJ-së, prof. dr. Renata Deskoska, profesoreshë e së drejtës kushtetuese dhe anëtare e Komisionit të Venecias, prof. Borçe Davitkovski, prof. Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese në Universitetin e Evropës Juglindore, Gordana Lazhetiq, ekspert i të drejtës procedurale penale, Mersel Bilalli, ekspert i të drejtës ndërkombëtare, Denis Preshova, ekspert i të drejtës kushtetuese; Mersim Maksuti nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, Abdul Mexhit Nuredin nga Universiteti Ndërkombëtar Vizion nga Gostivari, doc. dr. Azam Kor Bajram nga Vizion Gostivar, Zhaklina Doveden, kryetare e Gjykatës së Apelit Manastir, Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale Shkup, Burim Sejdini, kryetar i Gjykatës Administrative.
Kryetari shtoi se në seancë do të diskutohet vetëm për të drejtën materiale, pasi pjesa formale e kushtetutshmërisë tashmë është zgjidhur. Bëhet fjalë për Dekretin për Ligjin e gjuhëve, për të cilin tashmë është mbajtur seancë përgatitore në vitin 2021.
I pyetur rreth fokusit politik për ngjarjet, Darko Kostadinovski tha se politikanët kanë kulturë primitive politike dhe e keqpërdorin për tema politike ditore.
"Nuk është qëllimi im që t'i bindë politikanët, ata nuk do të ndalen, manipulimet e tyre do të vazhdojnë. Nëse ne si gjykatë arrijmë t'i bindim qytetarët që të mos manipulohen, ky është sukses", tha ai.
Ai informoi se në seancë do të diskutohet për gjashtë çështje kontestuese, të cilat opinioni publik do t'i mësojë në vetë seancën, ndërsa për pyetjen se a do të marrin pjesë gjyqtarët kushtetues të cilët janë pjesëtarë të minoriteteve, tha se nuk ka informacione se ata nuk do të marrin pjesë.
"Vendi i gjyqtarëve është në sallën e gjyqtarëve", theksoi kryetari.
Gjykata Kushtetuese, në seancën e mbajtur më 11 dhjetor të vitit 2024, vendosi të mbajë seancë përgatitore për debatin rreth nismave për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Gjyqtarja raportuese Elizabeta Dukovska atëherë propozoi mbajtjen e një seance përgatitore, e cila mori mbështetje nga disa gjyqtarë, përfshirë Ana Pavllova Daneva, Tatjana Vasiq Bojaxhieva, Jadranka Daboviq dhe Darko Kostadinovski. Gjyqtarja, Dobrilla Kacarska nuk u pajtua me propozimin, duke besuar se tashmë ishin bërë përgatitje të mjaftueshme.
Mbështetësit e vendimit e theksuan rëndësinë e seancës përgatitore për të treguar se sundimi i ligjit mbizotëron dhe se kushtetutshmëria nuk mbrohet në rrugë, por në gjykatë. Ata bënë thirrje për durim dhe besim tek institucionet dhe theksuan se vendimi do të ndihmojë në hedhjen poshtë të konstatimeve për politizim.
Seanca përgatitore thirret përpara se Gjykata Kushtetuese të marrë vendim për fillimin e procedurës. Në seancë thirren organe eksperte, bashkëpunëtorë shkencorë dhe profesionistë. Me thirrjen përmbahen kobstatime në nismat, gjendjen juridike dhe çështjet juridike të kontestuara që janë caktuar nga gjykata. Seanca përgatitore fillon me një shqyrtim të shkurtër nga gjyqtari raportues për gjendjen faktike dhe juridike dhe cilat kanë qenë çështjet kontestuese, me ç'rast të gjithë pjesëmarrësit i japin mendimet e tyre juridike ekskluzivisht për çështjet kontestuese.
Lënda e Ligjit për gjuhët përbëhet nga 13 iniciativa të qytetarëve të ndryshëm, partive politike dhe shoqatave, e formuar në vitin 2019 dhe e cila u bënë të rëndësishme këtë vjeshtë pas vërejtjeve të Komisionit të Venecias. Gjykata Kushtetuese mund t'i refuzojë nismat, të vendosë që të ngrisë procedurë për ligjin në tërësi ose vetëm për disa pjesë të tij, ta pezullojë përkohësisht zbatimin e tij deri në marrjen e vendimit përfundimtar ose ta dërgojë atë në Kuvend për riformulim.
Parashtrues të iniciativave për kontestim të dispozitave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve janë partitë VMRO-DPMNE dhe E Majta, Asociacioni "Kongresi Botëror Maqedonas", Sollza Gërçeva, Tanja Karakamisheva Jovanovska, Jove Kekenovski, Vasko Lazeski, Ivana Mitevska, Tome Todorovski, Klementina Bërzanovska dhe Vladimir Stefanovski. Pas mbajtjes së seancës përgatitore, gjyqtari raportues ka një afat prej gjashtë muajsh për të përgatitur raportin për lëndën. mb/
Foto: MIA