Egjipti mohon marrëveshje me Izraelin: Vendkalimi kufitar Rafah duhet të hapet në të dyja drejtimet
- Egjipti ka hedhur poshtë pretendimet se ka arritur një marrëveshje me Izraelin për të hapur vendkalimin kufitar Rafah ekskluzivisht për dalje nga Rripi i Gazës, duke këmbëngulur se vendkalimi duhet të jetë dykahësh.
Kajro, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Egjipti ka hedhur poshtë pretendimet se ka arritur një marrëveshje me Izraelin për të hapur vendkalimin kufitar Rafah ekskluzivisht për dalje nga Rripi i Gazës, duke këmbëngulur se vendkalimi duhet të jetë dykahësh.
“Nëse arrihet marrëveshje për të hapur vendkalimin kufitar, ajo do të jetë e vlefshme në të dyja drejtimet - për hyrje dhe dalje nga Gaza, në përputhje me planin e Presidentit amerikan Donald Tramp”, thuhet në deklaratën e autoriteteve egjiptiane.
Qeveria izraelite paralajmëroi hapje të pjesshme të vendkalimit kufitar Rafah midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit, si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me lëvizjen palestineze Hamas, por vetëm për palestinezët që duan të largohen nga territori, transmetoi DPA.
"Në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit dhe direktivën e autoriteteve politike, vendkalimi kufitar Rafah do të hapet në ditët në vijim ekskluzivisht për daljen e banorëve nga Rripi i Gazës në Egjipt", kumtoi agjencia izraelite përgjegjëse për territoret palestineze.
“Dalja e banorëve përmes vendkalimit kufitar do të lehtësohet në koordinim me Egjiptin, me miratimin e Izraelit dhe nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian”, thuhet në kumtesën.
Mekanizmi është i ngjashëm me atë që ekzistonte në janar të vitit 2025, kur kufiri u hap për pak kohë për të lejuar kalimin e banorëve të plagosur të Gazës, dhe më pas u mbyll përsëri.
Hapja e kufirit me Egjiptin u shty disa herë pas nënshkrimit të armëpushimit më 10 tetor.
Që atëherë, palestinezët kanë qenë në gjendje të largohen nga Rripi i Gazës vetëm përmes vendkalimit kufitar Kerem Shalom me kufizime të rrepta. ls/
Foto: Arkiv